Në prag të Qingming, ditës tradicionale kineze për përkujtimin e të vdekurve, ambasadorja kineze Jiang Yu, diplomatë kinezë, përfaqësuesit e kompanisë kineze CRVT, kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë si dhe kryetari i Shoqatës Kulturore Shqipëri-Kinë bënë homazhe në Varrezën e Sharrës dhe atë të Durrësit, në shenjë nderimi për teknikët kinezë Zhang Baoyu, Li Dexiong e Peng Guiwen si dhe marinarët kinezë Ou Xingtai e Song Shuhai, që vdiqën gjatë punës në Shqipëri.
Në varrezën e Sharrës, të mbushur me bar dhe lule, ambasadorja Jiang dhe stafi i ambasadës pastruan varret, vendosën lule dhe nderuan në heshtje punonjësit kinezë që ua kushtuan jetën miqësisë dhe bashkëpunimit kino-shqiptar.
Sivjet është 45-vjetori i ndarjes nga jeta të Zhang Baoyu, i nderuar nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë si "Hero i Punës Socialiste", në funeralin e të cilit morën pjesë dhjetra mijëra qytetarë shqiptarë. Ditët e fundit, këshilltari për tregtinë i ambasadës kineze Lian Gang kontaktoi me të bijën e Zhao Baoyu-ut dhe në emër të ambasadës i shprehu ngushëllime të thella familjes së tij.
Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë dhe kryetari i Shoqatës Kulturore Shqipëri-Kinë thanë se ky aktivitet u solli ndër mend vitet '60-të e '70-të të shekullit të kaluar, kur shumë kontingjente teknikësh kinezë dhanë kontributin e tyre për ndërtimin e Shqipërisë. "Një pjesë prej tyre i kushtuan jetën miqësisë shqiptaro-kineze dhe për këtë populli shqiptar do t'i kujtojë përgjithmonë", thanë ata. (Wang Lei/ Eda Merepeza)