Fjala kyçe: 互信---Hù xìn---Besim reciprok
20160401huxin.m4a |
Presidenti i Kinës Xi Jinping u takua të enjten pasdite me presidentin amerikan Barak Obama në Uashington. Ky është takimi i parë i sivjetshëm i udhëheqësve të të dy vendeve dhe në fokus të samitit është siguria bërthamore. Gjatë bisedimeve gati dyorëshe, të dyja palët ranë dakord të thellojnë vazhdimisht bashkëpunimin në fusha të ndryshme, duke forcuar bashkërendimin dhe kontaktet mbi çështjet ndërkombëtare për të konsoliduar interesat e përbashkëta në favor të nxitjes së zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve kino-amerikane.
Takimi me homologun kinez është i vetmi takim dypalësh që Obama bëri gjatë samitit. Ky është edhe takimi më i gjatë në axhendën e Xi Jinpingut gjatë këtij samiti.
Po të enjten, Kina dhe ShBA-ja publikuan deklaratën e tretë të përbashkët për përballimin e ndryshimit të klimës dhe një deklaratë për bashkëpunim mbi sigurinë bërthamore.
"Këto rezultate bashkëpunimi kanë shfaqur mundësi të mëdha për krijimin e llojit të ri të marrëdhënieve mes vendeve të mëdha, kanë treguar rëndësinë e domosdoshmërisë së forcimit të koordinimit midis Kinës dhe ShBA-së. Dua të ritheksoj se Kina dëshiron që bashkë me palën amerikane të krijojë një lloj të ri të marrëdhënieje midis vendeve të mëdha në bazë të respektit reciprok dhe të bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella, duke shmangur konflikt e kundërvënien. Kjo është një përparësi e zhvillimit të politikës së jashtme të vendit tonë," theksoi Xi.
Në lidhje me gjendjen ekonomike globale, Xi Jinping-u vuri në dukje se krahas ngadalësimit të rigjallërimit ekonomik, luhatjeve të vazhdueshme në tregun financiar ndërkombëtar, vendet e ndryshme nuk duhet të marrin masa për zhvlerësimin e monedhës së tyre për të nxitur eksportin. Kina dëshiron të arrijë sa më parë një marrëveshje për lehtësim të investimeve dypalëshe me palën amerikane.
Mbi kontrollin e mosmarrëveshjeve midis dy vendeve, Xi Jinpingu nënvizoi:
"Të dyja palët duhet të zhvillojnë konsultime dhe dialog për të gjetur rrugëdalje në bazë të respektit të interesave thelbësore dhe të shqetësimeve kryesore të palës tjetër. Për ato probleme që nuk mund të zgjidhen brenda një kohe të shkurtër, mund t'i marrim nën kontroll në mënyrë konstruktive për të shmangur keqkuptimin dhe gjykimin e gabuar që mund t'i acarojnë mosmarrëveshjet".
Për çështjen bërthamore të Gadishullit Korean, Xi Jinping-u theksoi se palët e ndryshme duhet të zbatojnë rreptësisht rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkallëzojë tensionin.
Duke folur mbi mosmarrëveshjet për sovranitetin e ujërave në Detin e Kinës Jugore, Xi Jinping tha se Pekini respekton dhe mbron lirinë e lundrimit dhe të fluturimit të vendeve të tjera sipas ligjit ndërkombëtar. Por, sipas tij, Kina nuk mund të pranojë veprime që dëmtojnë sovranitetin kombëtar dhe interesat e sigurisë nën pretekstin e lirisë së lundrimit.
Ai shpreson se ShBA-ja do të mbajë premtimet e dhëna për të mos qenë e njëanëshme dhe do të luajë një rol konstruktiv për ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në Detin e Kinës Jugore.
Kurse presidenti Obama tha se pala amerikane dëshiron t'i kontrollojë mosmarrëveshjet në mënyrë konstruktive.
"Në këtë takim, si dhe në të kaluarën, ne kemi mbajtur një qëndrim të hapur për ato fusha ku kemi mosmarrëveshje të mëdha, si sigurinë kibernetike, të drejtat e njeriut, çështjen detare, etj. Ne shpresojmë se të dyja palët do të vazhdojnë të zhvillojnë diskutime konstruktive për këto probleme për të garantuar përparimin e marrëdhënieve amerikano-kineze dhe duke u sjellë të dy popujve dhe popujve në botë fitime reale," tha Obama.