Banka qendrore e Kinës u zotua të premten të ruajë politikat e saj të kujdesshme monetare, por duke shtuar fleksibilitetin, për të përballuar rritjen e ndërlikimeve në tregun financiar.
Politikat do të mbahen "as shumë të shtrënguara dhe as shumë të lirshme", teksa Kina do të përdorë mjete të shumta politike për të ruajtur likuiditetin në treg dhe për të arritur rritjen e arsyeshme të kreditit, u shpreh Banka Popullore e Kinës në një deklaratë të publikuar pas një mbledhjeje të kryesuar nga guvernatori i saj, Zhou Xiaochuan.
Deklarata vë në dukje rritjen e rreziqeve në tregun financiar global, duke shtuar se ndërlikimet "nuk duhet të nënvlerësohen".
Banka Popullore e Kinës premton se do të bëhen më shumë përpjekje për të rritur pjesën e financimit të drejtpërdrejtë, për të ulur kostot e financimit shoqëror, për të thelluar reformat financiare dhe për të forcuar menaxhimin e riskut.
Banka qendrore e Kinës u zotua po ashtu për të kryer reforma të mëtejshme në liberalizimin e përqindjes së interesit dhe mekanizmit të formimit të kursit të këmbimit të juanit, për të siguruar stabilitetin monetar.


















