
Presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij amerikan Barak Obama ranë dakord të punojnë së bashku në disa çështje të ndryshme.
Në takimin në Uashington, dy udhëheqësit diskutuan mbi denuklearizimin e Gadishullit Korean, mosmarrëveshjet detare në Detin e Kinës Jugore si dhe ndryshimet klimatike globale.
"Si vendi më i madh në zhvillim dhe ai më i zhvilluari, dhe gjithashtu dy ekonomitë kryesore të botës, Kina dhe SHBA kanë përgjegjësi në rritje për nxitjen e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit botëror. Ka shumë hapësira ku mund të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin."
Në njoftimin e planeve për të nënshkruar zyrtarisht për traktatin e klimës në Paris këtë muaj së bashku me Kinën, Obama u bëri thirrje edhe vendeve të tjera të marrin pjesë.
"Jam i kenaqur gjithashtu që sot njoftojmë hapat e rinj për përshpejtimin e zbatimit të Marrëveshjes historike të Parisit për Ndryshimin e Klimës. Dy vendet tona kanë rënë dakord që jo vetëm të nënshkruajnë sa më parë marrëveshjen, por t'i bashkohen dhe të angazhohen zyrtatisht dhe nxisim edhe vendeve të tjera të bëjnë të njejtën gjë."
Kreu i Kinës Xi Jinping do të mbajë një fjalim këtë të premte në Samitin e Sigurisë Bërthamore, për të theksuar politikat e Kinës për këtë çështje. (Albana)


















