Autoritetet belge kanë njoftuar se po përpiqen të identifikojnë autorët e sulmeve terroriste të së martës. Ata fillimisht kanë identifikuar njerin prej 3 të dyshuarve, gjatë pamjeve mbikqyrëse nga aeroporti i Brukselit. Hetuesit ende nuk janë të sigurtë nëse ai ishte një nga sulmuesit vetëvrasës me bombë, që sulmoi aeroportin.
Prokurori belg është shprehur i bindur se sulmuesi tjetër vetëvrasës është 29 vjeçari Ibrahim El Bakraoui, i lindur në Bruksel.
Ndërsa trafiku ajror mbetet i pezulluar, në kryeqytetin belg transporti publik ka rinisur.
Sulmet e të martës në Bruksel kanë qenë shkaku i ritheksimit nga ana e presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Junker të planit për miratimin e Regjistrimit të Pasagjerëve në Bashkimin Europian, që lidhet me monitorimin e lëvizjes së udhëtarëve në vendet e BE-së. Baza e të dhënave për pasagjerët që udhëtojnë në hapësirën e BE-së përfshin emrat, datat e udhëtimit, itineraret, të dhënat e biletave dhe të bagazheve të pasagjerëve.
Kritikët e këtij regjistrimi të dhënash thonë se ai shkel privatësinë e udhëtarëve. (Eda Merepeza)