Fjala kyçe:天气---Tiān qì---Moti
20160322TIANQI |
Organizata Botërore e Meteorologjisë publikoi Raportin e Gjendjes së Klimës Botërore 2015 të hënën në Gjenevë. Raporti botohet në prag të Ditës Botërore të Meteorologjisë më 23 mars.
Raporti thekson se gjatë vitit 2015 temperaturat arritën një rekord të ri në kohën moderne duke e bërë këtë vitiin e kaluar më të nxehtin e dokumentuar.
Gjendja e Klimës Botërore është raporti vjetor i publikuar nga Organizata Botërore e Meteorologjisë. Në publikimin e sivjetshëm vihet në dukje se viti 2015 u karakterizua nga temperatura të larta, periudha të shpeshta vape, reshje të mëdha, thatësira shkatërruese dhe veprime të jashtëzakonshme të cikloneve tropikalë.
Viti 2015 ishte një nga vitet me temperaturën mesatare tokësore më të lartë, gjatë gjithë historisë së dokumentuar. Shumë vende u ndeshën me mot të nxehtë ekstrem. Kontinenti aziatik kaloi vitin më të nxehtë në histori, ndërsa Europa Perëndimore dhe ajo Qendrore, me vende si Gjermania, Spanja dhe Britania vuajtën nga periudha të gjata vape me temperaturën mbi ose afro 40 gradë. Edhe në Rusi u shënua viti më i ngrohtë.
Sipas Deklaratës së Gjendjes së Klimës Botërore, gjatë vitit 2015 edhe Kina pati temperaturën më të lartë historike. Nga maji në shtator, në Kinë ndodhën 35 përmbytje, të cilat prekën rreth 75 milionë banorë dhe shkaktuan humbje prej 25 miliardë dollarësh.
Në vitin 2015, në mbarë globin u regjistrua mot ekstrem, përfshirë thatësira, përmbytje dhe ciklonë të fortë tropikalë. Në pjesën jugore të kontinentit afrikan u regjistruan thatësira nga më seriozet qysh nga vitet e '30-të të shekullit të kaluar. Në veriun e Amerikës Jugore u regjistruan thatësira të rënda, ndërsa ShBA-ja e Kanadaja u përfshinë në zjarre masive.
Nga moti ekstrem nuk u përjashtuan as oqeanet. Gjatë vitit 2015, shumë hapësira detare u ndeshën me temperatura të larta dhe si pasojë, niveli i detit në mbarë vazhdoi të ngrihet, duke shënuar rekord, ndërkohë, sipërfaqja e akullnajave detare vazhdoi të pakësohet dhe u arriti në pikën më të ulët.
Në fillim të vitit 2016, situata meteorologjike në mbarë globin nuk paraqitet optimiste. Sipas Organizatës Botërore të Meteorologjisë, në janarin dhe shkurtin e këtij viti, temperatura mesatare globale shënoi sërish një rekord historik, ndërsa sipërfaqja akullnajore në Arktik u pakësua duke arritur nivelin më të ulët historik. Dimri që porsa kaluam konsiderohet si më i ngrohti në histori.
Organizata vuri në dukje se këtë vit tema e Ditës Botërore të Meteorologjisë është "përballimi i të ardhmes me më shumë vapë, thatësira dhe përmbytje", e cila thekson sfidën e sjellë nga ndryshimi i klimës.
Shtimi i numrit të ditëve të nxehta, të netëve të ngrohta dhe të rrymave të ngrohta do të ushtrojë ndikime negative për shëndetin e publikut dhe këto rreziqe mund të frenohen nëpërmjet sistemit të paralajmërimit të temperaturës së lartë.
Thatësirat, stuhitë dhe përmbytjet mund të parandalohen në bazë të një sistemimi kompleks.
Sekretari i përgjithshëm i Organizatës botërore të Meteorologjisë Petteri Taalas tha se nëse do të merren me kohë masa largpamëse gjithëpërfshirëse për pakësimin e shkarkimit të karbonit, njeriu do të shmangë katastrofat natyrore në të ardhmen. (Wang Lei)