Fjala kyçe: 访问---Fǎng wèn---Vizitë
20160321fangwen |
Presidenti amerikan Barack Obama dhe bashkëshortja e tij Michelle mbërritën në Havanë të dielën pasdite, duke nisur qysh nga e hëna vizitën shtetërore dyditore në Kubë. Kjo është vizita e parë e një presidenti amerikan në Kubë gjatë 88 vjetëve, pasi vizitës në këtë vend në vitin 1928 të presidentit John Calvin Coolidge.
Pas mbërritjes në Havanë të dielën, Barack Obama dhe bashkëshortja vizituan fillimisht zonën e lashtë të qytetit. Të hënën, ai do të vendosë kurorë lulesh në Monumentin e heroit kombëtar kuban José Martí, si dhe do të takohet me kryetarin e Këshillit të Shtetit të Kubës Raul Castro, si dhe do të japin një konferencë të përbashkët shtypi. Mbrëmjen e së hënës çifti presidencial amerikan do të jetë i ftuar në banketin e shtruar për nder të tyre nga Raul Castro në Pallatin e Revolucionit. Të martën, Obama do të mbajë një fjalim në Teatrin Alicia Alonso të Havanës dhe do të shohë ndeshjen miqësore të bejsbollit midis ekipit profesionist amerikan "Tampa Bay Rays" dhe ekipit kombëtar të Kubës.
Opinionit publik i interesojnë shumë dy veprimtaritë e ditës së fundit në Havanë të presidentit Obama. Fjalimi i tij në Teatrin Alicia Alonso, i pari i një presidenti amerikan në Kubë gjatë 88 vjetëve. Gjatë një interviste në prag të vizitës, zv/këshilltar i Departamentit Amerikan të Shtetit Ben Rhodes tha se në fjalimin e tij, Obama do t'i hedhë një vështrim historisë së ndërlikuar midis ShBA-së dhe Kubës e përpjekjeve të të dy vendeve për nxitjen e marrëdhënieve dhe do ta njohë popullin kuban me mendimet e tij për perspektivën e marrëdhënieve dypalëshe. Ministri i Jashtëm i Kubës Bruno Rodríguez Parrilla u shpreh në konferencën për shtyp para vizitës së Obamas se Televizioni Kombëtar i Kubës do të transmetojë drejtpërdrejt këtë fjalim.
Ndeshja e bejsbollit të martën do të jetë tjetër fokus i vizitës. Bejsbolli preferohet nga të dy popujt amerikan dhe kuban. Zëvendës kryetari i Shoqatës së Bejsbollit të Kubës Antonio Barroso de Castro është i biri i Fidel Castros, udhëheqësit revolucionar të Kubës, prandaj diplomacia nëpërmjet bejsbollit pa tjetër do të afrojë distancën midis dy popujve. Nëpërmjet kësaj ndeshjeje, pala amerikane shpreson të importojë në mënyrë të ligjshme lojtar kubanë në të ardhmen.
Qysh nga rifillimi i normalizimit të marrëdhënieve amerikano-kubane më 17 dhjetor 2014, marrëdhëniet midis dy vendeve kanë shënuar një përparim të dukshëm. Në mars të këtij viti, rifilluan shërbimet e drejtpërdrejta postare ShBA-Kubë, që ishnin ndërprerë për gjysmë shekulli. Grupi amerikan Starwood nënshkroi të shtunën marrëveshjen me Kubën për krijimin e tre hoteleve të rinj, bazuar në liberalizimin e mëtejshëm nga pala amerikane të udhëtimeve dhe të tregtisë në Kubë. (Wang Lei)