PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Pse keqkuptohet "Një Brez e Një Rrugë"?
2016-03-11 20:59:21 CRI Komenti juaj Printoni
Me qartësimin dhe konkretizimin e strategjisë "Një Brez e Një Rrugë", po thellohet edhe njohja nga bota e jashtme e kësaj strategjie të propozuar nga pala kineze. Por, për shkak të ndryshimeve në mënyrën e të menduarit, dallimeve ideologjike dhe të interesave etj., vendet perëndimore kanë jo pak keqkuptime për sa i përket kësaj strategjie, duke u përpjekur ndonjëherë edhe të ndikojnë mbi vënien e saj në jetë në vendet përkatëse. Për ta njohur më mirë këtë nismë, le të bëjmë një shtjellim të saj.

I. Paraqitja dhe zbatimi i strategjisë "Një Brez e Një Rrugë"

Në shtatorin e vitit 2013, gjatë vizitës në Kazakistan, presidenti i Kinës Xi Jinping paraqiti për herë të parë propozimin për ndërtimin e Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit. Një muaj më pas, presidenti Xi propozoi krijimin e Rrugës Detare të Mëndafshit të Shekullit të 21-të gjatë vizitës nëpër vendet anëtare të ASEAN-it. "Një Brez e Një Rrugë" është një strategji madhore që përfshin 26 vende e rajone të botës, me një popullsi të përgjithshme 4.4 miliardë banorë, duke krijuar korridorin më të madh ekonomik botëror.

Pas paraqitjes zyrtare të këtij propozimi, u krijua Fondi i Rrugës së Mëndafshit me një vlerë prej 40 miliardë dollarësh amerikanë, ndërkohë që shumë vende, si Britania, Franca, Gjermania, Italia, Koreja e Jugut etj., u anëtarësuan në Bankën Aziatike të Investimeve Infrastrukturore. Strategjia "Një Brez e Një Rrugë" ka nisur të ketë një ndikim të ndjeshëm brenda e jashtë Kinës. Gjatë dy vjetëve të fundit, një varg projektesh të rëndësishme ka arritur rezultate fillestare. Në vitin 2016, "Një Brez e Një Rrugë" është futur në fazën e zbatimit të qëndrueshëm.

II. Sfondi i propozimit të nismës "Një Brez e Një Rrugë"

1. Pse e paraqiti Kina nismën "Një Brez e Një Rrugë"

"Një Brez e Një Rrugë" është emërtimi i përbashkët i Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe i Rrugës Detare të Mëndafshit të Shekullit të 21-të. Të dyja këto rrugë i kanë fillesat në lashtësi dhe kanë qenë rrugë kyçe tregtare të transportit tokësor dhe detar midis Lindjes e Perëndimit, duke u kthyer edhe në simbol të shkëmbimeve kulturore midis Kinës dhe vendeve të tjera.

2. Pse "Një Brez e Një Rrugë" mund të tërheqë vëmendjen dhe interesin e vendeve e rajoneve përkatëse?

Nisma "Një Brez e Një Rrugë" është në rrafsh global dhe mund të shfrytëzojë burimet e ndryshme rajonale. Njëkohësisht, për shkak se "Një Brez e Një Rrugë" mbështetet në sistemet e vjetra të bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh mes Kinës e vendeve përkatëse dhe nuk përfshin fusha të tilla të ndjeshme si ato politike dhe të sigurisë, kjo nismë ka karakter të hapur.

Qysh nga paraqitja e nismës "Një Brez e Një Rrugë", brenda e jashtë Kinës ka pasur zëra e mendime të ndryshme lidhur me të.

III. Cilat pjesë të nismës "Një Brez e Një Rrugë" keqkuptohen?

1. Perëndimi, sidomos ShBA-ja, mendon se "Një Brez dhe Një Rrugë" është "Plani 'Marshall' i Kinës" dhe përbën sfidë ndaj Marrëveshjes së Partneritetit të Transpaqësorit të propozuar nga ShBA-ja?

Një koncept i tillë tregon se ShBA-ja ende ka mendësinë e Luftës së Ftohtë.

"Një Brez e Një Rrugë" e vë theksin në bashkëpunimin e përfitimet e ndërsjella dhe është i ndryshëm nga Plani "Marshall", që u propozua në kushtet e Luftës së Ftohtë. "Një Brez e Një Rrugë" nuk vendos asnjë kusht dhe është e hapur. Kina e propozoi këtë nismë dhe ekonomitë e tjera kanë zhvilluar konsultime së bashku, pa pasur asnjë kusht. Por Plani "Marshall" vendoste kushtin që, nëse vendet socialiste dëshironin të përfitonin prej tij, duhej të ndryshonin sistemin.

2. Disa vendet shqetësohen se Kina do të sfidojë nëpërmjet strategjisë "Një Brez e Një Rrugë" sistemin ekonomik rajonal, si dhe atë global, duke dëmtuar interesat e vendeve të tjera.

Shqetësimi i këtyre vendeve është i kuptueshëm. Megjithatë, Kina do t'i përmbahet statusit të një fuqie ekonomike e financiare rajonale dhe do të ruajë një rol të rëndësishëm për stabilitetin ekonomik rajonal. Kina mund të zhvillohet më shpejt nëpërmjet strategjisë së "Një Brez e Një Rrugë", por zhvillimi i saj nuk do të bjerë ndesh me zhvillimin e vendeve të tjera.

3. Disa vende në zhvillim shqetësohen se, në procesin e nxitjes së strategjisë "Një Brez e Një Rrugë", Kina do të përpiqet të shfrytëzojë burimet e rajoneve përkatëse dhe të forcojë kontrollin ekonomik.

Kina po zhvillohet sot gradualisht dhe kompanitë ose individët kinezë po kërkojnë mundësi bashkëpunimi jashtë vendit. Në një periudhë paqeje dhe zhvillimi, duhen shfrytëzuar tiparet e kohës dhe të arrihet një zhvillim më i shpejtë. Kjo është përvoja kineze gjatë dhjetëra vjetëve të kaluara. Zhvillimi është objektivi themelor. Shumë probleme mund të zgjidhen gjatë procesit së zhvillimit. Nëse vendet fqinje të saj zhvillohen, edhe Kina do të vazhdojë zhvillimin e qëndrueshëm.

4. Strategjia "Një Brez e Një Rrugë" ka si qëllim transferimin e mbikapacitetit të Kinës jashtë vendit?

Epërsia kryesore e Kinës është në fushën ekonomike dhe elementi kryesor i strategjisë "Një Brez e Një Rrugë" është bashkëpunimi ekonomik, që përfshin ndërtimin e infrastrukturës, rrjetin energjetik, rrjetin e komunikacionit, naftësjellësit e gazjellësit etj. Këto janë fusha ku Kina ka epërsi dhe jo sektorë të prapambetur ose që Kina synon t'i eliminojë.

IV. Shqipëria dhe "Një Brez e Një Rrugë"

Në të vërtetë, zërat negativë lidhur me "Një Brez e Një Rrugë" janë mjaft të kufizuar dhe vetëm në një numër të vogël vendesh. Gjithnjë e më shumë vende i kanë kuptuar të mirat që ka përfshirja në një nismë të tillë dhe po bëjnë përpjekje aktive për të qenë pjesë e kësaj nisme. Një prej tyre është edhe Shqipëria.

Zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare, përfshirë edhe kryeministrin Rama, si edhe specialistë shqiptarë të ekonomisë, e kanë vlerësuar pozitivisht nismën kineze dhe ndikimin që do të ketë ajo për Shqipërinë. Z. Rama e ka cilësuar "Një Brez e Një Rrugë", së bashku me nismën tjetër kineze për krijimin e Mekanizmit 16 + 1 të bashkëpunimit mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore, si dy platforma që i shërbejnë forcimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë e Kinës, veçanërisht në fushën ekonomike. Ndërkohë, në një intervistë për CRI-Shqip, i pyetur lidhur me nismën "Një Brez e Një Rrugë", analisti shqiptar i ekonomisë Artan Hoxha është shprehur: "Ky është një lajm i mirë, është një projekt i zhvillimit ndërkombëtar i qeverisë kineze, i cili me siguri do të prodhojë disa gjëra pozitive (…) Unë e quaj këtë një program me interes, pozitiv dhe me përfitime të ndërsjella për të gjitha palët." Nga ana e tij, drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Studime Strategjike Geri Selenica është shprehur në revistën "Monitor" që qeveria shqiptare duhet të hartojë projekte konkrete për të arritur të përfitojë nga nisma kineze "Një Brez e Një Rrugë". Ndërsa gazetari i CRI-Shqip Artan Goga, i cili jeton prej vitesh në Kinë, vë në dukje se përfitimet nga nisma "Një Brez e Një Rrugë" do të jenë vetëm ekonomiko-tregtare, por do të sjellin edhe forcim të shkëmbimeve kulturore dhe të komunikimit mes popujve: "Unë mendoj se 'Një Brez e Një Rrugë' është nisma më e rëndësishme për ekonominë globale e këtij shekulli. Ajo jo vetëm përfshin drejtpërdrejt më shumë se 20 vende e rajone, kryesisht në Eurazi, me një numër banorësh që përbën më shumë se gjysmën e popullsisë botërore, por ndikimet e saj pozitive do të ndihen patjetër edhe nga pjesa tjetër të botës, në këtë epokë kur gjithë globi cilësohet si një fshat i vogël dhe kur ekonomitë janë të ndërlidhura ngushtë me njëra-tjetrën. E pa dyshim përjashtim nga kjo nuk përbën as Shqipëria. Por unë dua të shtoj gjithashtu se Rrugët e Mëndafshit tokësore dhe detare nuk kanë qenë vetëm rrugë tregtare dhe përfitimi prej tyre nuk është vetëm ekonomik, por ato kanë shërbyer edhe si 'ura kulturore', duke përafruar popuj e qytetërime të ndryshme. Prandaj në një vështrim më të gjerë, e vlerësoj nismën e qeverisë kineze 'Një Brez e Një Rrugë' si një sipërmarrje mjaft pozitive dhe me përfitime të shumanshme për popujt e vendeve të ndryshme."

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China