Udhëheqësit e lartë kinezë morën pjesë të hënën në diskutimet e Asamblesë Kombëtare Popullore (AKP).
Presidenti Xi Jinping bëri thirrje gjatë takimit me ligjvënësit nga provinca Heilongjiang për rigjallërimin e bazës industriale të Kinës Verilindore. Ai tha se, për ta realizuar një gjë të tillë, zyrtarët vendorë duhet të synojnë për një ekonomi më të orientuar nga tregu.





"Në ekonominë e tregut, ndërmarrjet industriale shtetërore duhet t'i përshtatin metodat e tyre të prodhimit për të përfituar nga integrimi industrial. Në të njëjtën kohë, funksioni i qeverisë në ndërmarrjet shtetërore duhet të jetë mbështetës. Këto ndërmarrje duhet të krijojnë kushtet për një hyrje më të mirë në treg nëpërmjet reformave që do t'i bëjnë ato më konkurruese," u shpreh presidenti Xi.
Ndërkohë, gjatë diskutimeve me deputetët e provincës juglindore të Fujian-it, kryeministri Li Keqiang sugjeroi që fokusi të vihet në zhvillimin e ekonomisë detare të kësaj province.



"Fujian-i është një nga rajonet e para që ka zbatuar politikën e reformës dhe të hapjes. Fujian-i i ka mundësitë për më shumë hapje dhe mund të ndihmojë gjithashtu në zhvillimin paqësor të marrëdhënieve ndërmjet të dy brigjeve," tha kreu i qeverisë kineze.
Fujian-i ndodhet përballë Tajvanit dhe është një qendër në pjesën kontinentale për lidhjet ekonomike me këtë ishull. (Artan Goga)


















