Vëzhguesit politikë në Tajvan, duke analizuar komentet e bëra në fundjavë nga presidenti kinez Xi Jinping i kanë cilësuar ato si një mesazh i qartë drejtuar autoriteteve të ishullit.
Duke iu drejtuar një grupi ligjvënësish nga Shangai, pas hapjes së sesionit vjetor parlamentar të shtunën, presidenti Xi Jinping tha se pavarësia e Tajvanit do të kundërshtohet me vendosmëri.
Yu Tzu-hsiang, profesor i Universitetit Shih Hsin tha se deklarata e presidentit Xi ka patur jehonë në Tajvan.
"Duke iu referuar komenteve të presidentit Xi mund të them se ai analizon situatën historike dhe e konsideron shkëputjen nga Kina si një tragjedi, e cila nuk duhet të përsëritet. Deklarata e tij është një mesazh drejtuar popujve të të dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit, të cilët janë vëllezër e motra dhe përbëjnë një komunitet me fat të përbashkët."
Ndërsa Hsieh Minghui, drejtor ekzekutiv i Forumit të Konkurrencës në Tajvan, tha se çdo lëvizje drejt largimit nga "Konsensusi i vitit 1992" e lideres Tsai Ing-wen, do të jetë e gabuar.
Në fjalën e tij, Xi Jinping theksoi se autoritetet e pjesës kontinentale të Kinës do të vazhdojnë të zbatojnë "Konsensusin e vitit 1992", që sipas tij përbën themelin politik të zhvillimit të marrëdhënieve midis dy brigjeve. Pas zgjedhjes në janar të kryetares së Partisë Progresiste Demokratike Tsai Ing-wen, Zyra për Çeshtjet e Tajvanit në pjesën kontinentale ka theksuar rëndësinë e "Konsensusit të vitit 1992".
(Eda Merepeza)