Në janar të vitit 2016, vlera e eksporteve të Shqipërisë ishte 16 miliardë lekë (rreth 126 milionë dollarë), duke shënuar një rënie prej 7.8 për qind krahasuar me muajin janar të vitit 2014 dhe 8.1 për qind krahasuar me muajin dhjetor të 2015-s, njoftoi të hënën Instituti i Statistikave Shqiptare.
Vlera e importeve në janar të këtij viti ishte 35 milionë lekë apo 1.5 për qind më pak krahasuar me muajin janar të vitit 2015 dhe me 34.6 për qind krahasuar me muajin dhjetor të 2015-s.
Këtë muaj deficiti tregtar arriti në 18 miliardë lekë, duke u thelluar me rreth 5 për qind në krahasim me janarin e 2015-s dhe rreth 48 për qind krahasuar me muajin dhjetor 2015.
Gjatë janarit 2016, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritjen më të lartë të eksporteve në krahasim me janarin e 2015-s janë Italia me 8.1 për qind, Greqia me 17.9 për qind dhe Hungaria me 353.4 për qind.
Shqipëria ka pasur rritjen më të lartë të importeve në janar të vitit 2016, krahasuar me të njëtin muaj të vitit të kaluar me Italinë me 18.3 për qind, Gjermaninë me 3.1 për qind dhe Poloninë me 34.8 për qind.
Ndërkohë, vendet me të cilat ka pasur një rënie të importeve janë Kina me 4.2 për qind, Turqia me 5.6 për qind dhe Greqia me 3.8 për qind.
Tregtia me vendet e Bashkimit Europian përbën 67.4 për qind të tregtisë së përgjithëshme. (Raela)