Ministri i jashtëm i Kinës Wang Yi priti në Pekin homologun e tij singaporas, Vivian Balakrishnan me të cilin bisedoi rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe rajonale, duke u ndalur dhe në çeshtjen e Detit të Kinës Jugore. Wang Yi theksoi se pala kineze nuk dëshiron që Shoqata e Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN),anëtar i së cilës është dhe Singapori, të trajtojë këtë çeshtje në grup.
"Jemi të mendimit se disa çeshtje specifike duhen trajtuar drejtpërdrejt nga vendet përkatëse, përmes dialogut dhe negociatave. Kjo është përcaktuar saktë në Nenin e 4-t të Deklaratës së Sjelljes së Palëve për Çeshtjen e Detit të Kinës Jugore. Ndërkohë Kina dhe vendet anëtare të ASEAN-it, si vende kufitare në Detin e Kinës Jugore do të vazhdojnë përpjekjet për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, përfshirë mbrojtjen e lirisë së lundrimit në këtë hapësirë detare."
Të dy kryediplomatët u ndalën dhe në shpejtimin e bisedimeve për përmirësimin e marrëveshjes ekzistuese të tregtisë së lirë Kinë-Singapor. (Eda Merepeza)


















