Greqia vendosi të enjten të tërheqë ambasadorin e vet në Austri, lidhur me problemin e imigrantëve dhe të refugjatëve.
Sipas deklaratës të Ministrisë së Jashtme të Greqisë, vendet anëtare të BE-së "kanë ndërmarrë veprime të njëanshme dhe kanë shkelur ligjin ndërkombëtar dhe ligjet e BE-së", duke dëmtuar bazat dhe procesin e integrimit europian.
Javën e kaluar, autoritetet austriake vendosën të caktojnë një kufi për numrin e imigrantëve e të refugjatëve që do të lejojnë të hyjnë në vend, duke bërë që edhe disa vende të Ballkanit të marrin masa të ngjashme. Këto masa kanë bërë që një numër i madh imigrantësh e refugjatësh të ardhur nga Turqia të mbeten në Greqi, duke i kaluar kapacitetet pritëse të këtij vendi.
Policia greke tha se të enjten pala maqedonase pranoi hyrjen e vetëm 100 imigrantëve e refugjatëve nga Greqia, por numri i tyre në kufirin mes dy vendeve është mbi 3 mijë veta. Përveç kësaj, ka edhe 20 mijë imigrantë e refugjatë të përhapur në mbarë Greqinë. (Fang Xiaoyu/Artan Goga)