7 kompani kanë shprehur interes deri tani për blerjen e shoqërisë shtetërore të sigurimeve INSIG. Ministria e Financave bën të ditur se këto subjekte kanë tërhequr dokumentacionin e tenderit, ndërkohë që koha për dorëzimin e ofertave është deri në 10 mars të këtij viti. Njëkohësisht, autoritetet përsërisin ftesën për subjekte vendase dhe të huaja.
Sipas vendimit të Qeverisë, në shitje do të dalin 100 përqind të aksioneve të shoqërisë shtetërore të sigurimeve. Vlera dysheme është përcaktuar 15,305,000 (pesëmbëdhjetë milion e treqind e pesëmijë) Euro.
Sipas formulës, peshën më të madhe të pikëve, prej 80 përqind, do ta ketë çmimi i ofruar, ndërsa plani i biznesit dhe cilësia e blerësit do të kenë respektivisht nga 10 pikë. Paralelisht, çdo konkurrent duhet të garantojë ofertën e tij me një depozitë fikse prej 30 milionë lekësh. (Top Channel)