Organizata terroriste 'Shtetit Islamik' mori përsipër përgjegjësinë për seri shpërthimesh në qytetin sirian Homs dhe kryeqytetin Damask.
Të paktën 150 njerëz numërohen të vdekur. Sipas mediave vendore të paktën 60 veta u vranë në qytetin Homs. Grupi ekstremist mysliman ka marrë përsipër përgjegjësinë edhe për shpërthimet në lagjen jugore të Damaskut me shumicë shiite.
Aty shpërthimi i një makine bombë u shoqërua edhe me shpërthimin e një atentatori vetëvrasës, duke lënë të vdekur në vend mbi 80 veta.
Sulmet vijnë në një kohë që komuniteti ndërkombëtar po vazhdon të diskutojë zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit të arritur mbi Sirinë, e cila sipas marrëveshjes fillestare duhet të hynte në fuqi të premten. (Leftion Peristeri)