Austria është e gatshme të mbështesë vendet europiane që përballen me çështjen e refugjatëve për të reduktuar fluksin e tyre, tha të martën ministri i Jashtëm austriak Sebastian Kurz pas takimit me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiç.
Kurz mbërriti të martën në Beograd ku u takua me Vuçiç-in dhe homologun e tij serb Ivica Daçiç për të diskutuar mbi valën e refugjatëve nga Siria, Lindja e Mesme dhe Afrika, të cilët kalojnë përmes Serbisë për në Europën Perëndimore.
Në një konferencë shtypi Kurz deklaroi se Austria ka marrë 90 mijë emigrantë vitin e kaluar, por "këtë vit nuk mund të pranojmë kaq shumë, ndaj qeveria vendosi të bëjë kufizime". Ai informoi qeverinë serbe se Austria do të pranojë vetëm 37.500 refugjatë këtë vit.
Vuçiç është shprehur se Serbia do të marrë pjesë aktive në zgjidhjen e krizës së refugjatëve duke siguruar kufijtë e saj dhe duke dërguar përforcime në kufirin midis Greqisë dhe Maqedonisë, shtoi ai.
Daçiç deklaroi se Serbia do të mbyllë kufirin me Maqedoninë, në qoftë se edhe vendet e tjera të Ballkanit i mbyllin kufijtë e tyre.
Sipas të dhënave të fundit, mbi 700 mijë emigrantë vitin e kaluar kaluan nëpërmjet Ballkanit drejt Europës Perëndimore. (Raela/Leftion Peristeri)