2016-ta është shpallur viti i Ismail Kadaresë, me rastin e 80 vjetorit të lindjes së shkrimtarit të njohur shqiptar. Veprimtari të shumta kanë startuar të enjten në Gjirokastër dhe Tiranë, të organizuara nga Ministria e Kulturës, Bashkia e Gjirokastrës dhe shoqata kulturore në vend. Në pamundësi për të qenë i pranishëm në veprimtaritë e nisura në vendlindjen e tij, Gjirokastër shkrimtari Kadare i ka drejtuar një letër falenderimi kryetares së bashkisë.
Ndërkohë në Tiranë Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, President i Nderit i së cilës është Ismail Kadare, ka mbledhur mbrëmjen e së enjtes dhjetëra akademikë, shkrimtarë, artistë, politikanë e figura të njohura të kulturës në vend. Të pranishmit kanë vlerësuar figurën, veprën dhe kontributin e Kadaresë në letrat shqipe, duke theksuar se ai është dhe ambasadori më i mirë i Shqipërisë në botë. (Eda Merepeza)