Presidenti i Kinës Xi Jinping zhvilloi të enjten bisedime me homologun egjiptian Abdel Fattah al Sisi. Pas bisedimeve, të dy udhëheqësit morën pjesë në inaugurimin e fazës së dytë të zonës së bashkëpunimit tregtar-ekonomik të Suez-it, Kinë – Egjipt.
Xi Jinping theksoi se të dy vendet po përballen me realizimin e ëndrrave të mëdha, zhvillimin e shtetit dhe rimëkëmbjen kombëtare. "Kina dëshiron që së bashku me Egjiptin të përparojnë vazhdimisht, duke zhvilluar bashkëpunim me interes të ndërsjellë".
Atë ditë, të dy udhëheqësit morën pjesë gjithashtu në nënshkrimin e marrëveshjeve shumëpalëshe, midis tyre "Platforma 5-vjeçare e forcimit të marrëdhënieve të gjithanshme strategjike kino-egjipiane", "Memorandumi i Mirëkuptimit mbi nxitjen e nismës 'Një brez, një rrugë', marrëveshje në fushën e energjetikës, ndërtimit të infrastrukturës, tregtare-ekonomike, financës dhe kulturës.
Presidenti Sisi u shpreh se Egjipti po përpiqet të bashkëpunojë në çdo fushë me Kinën dhe dëshiron që planifikimi i zhvillimit të lidhet me nismën "Një brez, një rrugë". Ai shtoi se Egjipti do të forcojë bashkëpunimin për ndërtimin e infrastrukturës brenda Bankës Aziatike të Investimeve Infrastrukturore, ndërsa i ftoi ndërmarrjet kineze të shtojnë investimet në Egjipt. (Fang Xiaoyu/Leftion Peristeri)