Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë njofton se situata e orëve të fundit në disa prej qarqeve të goditura nga përmbytjet e ujërave, po stabilizohet dhe po vjen në përmirësim gradual.
Sipas MPB, ulja e intensitetit të reshjeve dhe puna e hidrovoreve ka sjellë një ulje të nivelit të ujërave. Ndërkohë në zonat problematike dhe me rrezik, janë marrë masat për evakuimin e banorëve, sigurimin e argjinaturave, ose vendosjen e inerteve në pikat e përmbytjeve pranë lumenjve. MPB njofton se, situata po ndiqet nga Shtabet e Emergjencave si dhe nga strukturat e Policisë së Shtetit. Shtabet e Emergjencave në qarqet që kanë probleme, janë duke monitoruar dhe punuar me të gjitha strukturat e specializuara. (ATSH)