Kryeministri kinez Li Keqiang, nëpërmjet një mesazhi urimi drejtuar homologut serb Vucic, me rastin e nisjes së projektit të përbashkët hekurudhor thekson se "ndërtimi i hekurudhës Serbi-Hungari dëshmon një hap të rëndësishëm përpara në bashkëpunimin tripalësh". Li shton se bashkëpunimi pragmatik midis Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore gjithashtu shënon një hap përpara.
"Kina dëshiron që bashkë me palën serbe dhe hungareze të përfundojë sa më parë linjën e re hekurudhore, e cila nuk do të forcojë vetëm ndërlidhshmërinë infrastrukturore në rajon, por do të nxitë procesin e integrimit europian, si dhe thellimin e bashkëpunimit me interes të ndërsjelltë kino-europian" theksohet në mesazh.
Në ceremoninë e nisjes së punimeve, kryeministri serb Aleksandar Vucic vlerësoi përpjekjet e palës kineze dhe serbe për realizimin e projektit hekurudhor Hungari-Serbi, duke theksuar se nisja e tij është një tjetër sukses në bashkëpunimin pragmatik midis Serbisë dhe Kinës. (Eda Merepeza)