Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping u takua të martën me kryeministrin rus Dmitri Medvedev në qytezën Wuzhen të provincës Zhejiang.
Gjatë takimit, z. Xi vuri në dukje se sivjet partneriteti i gjithanshëm strategjik kino-rus ka ruajtur zhvillimin e nivelit të lartë dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme ka qenë frytëdhënës. "Kemi rënë dakord me presidentin Putin se, pavarësisht ndryshimeve të mundshme të situatave ndërkombëtare dhe rajonale, nuk do të ndryshojë parimi ynë për konsolidimin dhe thellimin e këtyre marrëdhënieve, as objektivi ynë për arritjen e përtëritjes së dy vendeve tona, as vullneti ynë për të mbrojtur drejtësinë e barazinë, paqen e stabilitetin botëror," tha Xi Jinping.
Kreu i shtetit kinez gjithashtu shprehu shpresën se, vitin e ardhshëm, falë përpjekjeve të përbashkëta dypalëshe, marrëdhëniet kino-ruse do të zhvillohen më tej, duke sjellë më shumë përfitime konkrete për të dy popujt.
Kryeministri i Rusisë Dmitri Medvedev u shpreh nga ana e tij se Moska është e kënaqur nga zhvillimi i partneritetit të gjithanshëm strategjik me palën kineze dhe thellimi i bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën ekonomiko-tregtare, kulturore, njerëzore etj. Ai theksoi se pala ruse do të luajë rol aktiv në ndërthurjen e Bashkimit Ekonomik Euroaziatik me strategjinë e zhvillimit "Një Brez e Një Rrugë" dhe do të thellojë bashkëpunimin me Kinën në ndërtimin infrastrukturor, energjetikë, financa, investime, rrjeteve të informacionit etj. Kreu i qeverisë ruse u shpreh po ashtu se Moska do të forcojë kontaktet e bashkërendimin me Pekinin lidhur me çështjet ndërkombëtare, si edhe bashkëpunimin brenda kornizës së Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait dhe Bankës Aziatike të Investimeve Infrastrukturore.
(Zhang Yan/Artan Goga)