Takimi i 14-të i kryeministrave të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) u mbyll të martën në qytetin Zhengzhou të Kinës Qendrore, me nënshkrimin e një komunikate të përbashkët.
Kryeministri kinez Li Keqiang u bëri thirrje të gjitha shteteve anëtare të kësaj organizate për përpjekje më të mëdha në bashkëpunimin në fushën e sigurisë, kapaciteteve, ndërlidhshmërisë, financave, tregtisë rajonale dhe përmirësimit të jetesës së njerëzve.
Gjatë takimit dyditor, liderët e vendeve anëtare të OBSh-së shkëmbyen ide mbi bashkëpunimin në fushën e investimeve, financave, transportit dhe komunikimit kulturor.
Organizata e Bashkëpunimit të Shangait u themelua në vitin 2001 dhe ka tani gjashtë vende anëtare: Kina, Rusia, Kazakistani, Taxhikistani, Kirgizistani dhe Uzbekistani. Ndërkohë, Afganistani, India, Irani, Mongolia dhe Pakistani janë vende vëzhguese, ndërsa Bjellorusia, Turqia dhe Sri-Lanka janë partnerë dialogu.(Raela)