PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Botohet në shqip libri "Urtësia Shekullore dhe Qeverisja, Citimet e veprave Klasike Kineze nga Presidenti Xi Jinping"
2015-12-03 11:28:49 CRI Komenti juaj Printoni

 

Të mërkurën u zhvillua në hotel "Tirana International" ceremonia e promovimit të librit "Urtësia shekullore dhe qeverisja - Citimi i veprave klasike kineze nga presidenti Xi Jinping". Në këtë ceremoni morën pjesë ministrja e Kulturës e Shqipërisë Mirela Kumbaro, kryetari i Shoqatës Kulturore Shqipëri-Kinë Iliaz Spahiu, drejtori i Shtëpisë Botuese "Onufri" Bujar Hudhri, si edhe personalitete nga qarqe të ndryshme, përfaqësues nga Redaksia e shqipes e Radios së Jashtme të Kinës dhe nga institucione të tjera kineze, qytetarë kinezë me banim në Shqipëri etj.

Në fjalën e vet në ceremoni, ministrja shqiptare e Kulturës Mirela Kumbaro uroi për botimin e librit "Urtësia shekullore dhe qeverisja - Citimi i veprave klasike kineze nga presidenti Xi Jinping" dhe u shpreh falënderime si palës shqiptare, ashtu edhe asaj kineze për përpjekjet e përbashkëta për botimin e këtij libri. Ajo tha se tani gjendja e shkëmbimeve kulturore midis Shqipërisë dhe Kinës është shumë e mirë, duke vënë në dukje se "Marrëveshja e bashkëpunimit për botimin e librave klasikë me përkthime të ndërsjella", e nënshkruar sivjet midis Shqipërisë dhe Kinës, është futur në kornizën e "Bashkëpunimit 16+1". Kreu i dikasterit shqiptar të kulturës theksoi se vitin e ardhshëm qeveria shqitare dhe qeveria kineze do të nënshkruajnë marrëveshjen e shkëmbimeve kulturore, gjë që sipas saj do të japë mbështetje për zhvillimin e shkëmbimeve dypalëshe në fushat kulturore, artistike, të botimeve etj. Znj. Kumbaro shprehu besimin se, me përpjekjet e përbashkëta si të palës shqiptare, ashtu edhe të asaj kineze, bashkëpunimi midis dy vendeve në fushën kulturore do të arrijë rezultate të tjera pozitive.

Ambasadorja kineze në Shqipëri Jiang Yu u shpreh në ceremoni se botimi i librit "Urtësia shekullore dhe qeverisja - Citimi i veprave klasike kineze nga presidenti Xi Jinping" është një ngjarje me rëndësi në bashkëpunimin në fushën e kulturës midis Kinës dhe Shqipërisë, duke krijuar një nisje të mirë për bashkëpunimin e suksesshëm në fushën e botimeve midis Kinës dhe Shqipërisë. Në emër të Ambasadës së Kinës në Shqipëri, ajo falënderoi Shtëpinë Botuese "Zhonghua" të Hong-Kongut dhe Shtëpinë Botuese "Onufri" për bashkëpunimin e ngushtë dhe përpjekjet e përbashkëta për botimin e këtij libri. Në të njëjtën kohë, znj. Jiang përgëzoi edhe grupin e përkthyesve të këtij libri nga Redaksia e shqipes e Radios së Jashtme të Kinës.

Ambasadorja kineze në Shqipëri Jiang Yu nënvizoi se, gjatë procesit historik disa mijëravjeçar të Kinës është formuar një sistem i plotë ideologjik dhe kuturor. Librat e lashta klasike janë të pasura dhe të shumta. Kryetari Xi Jinping ka përdorur urtësinë dhe fuqinë e kulturës së shkëlqyer tradicionale të Kinës. Mes shumë artikujve dhe fjalimeve të tij, Xi Jinping shpesh citon fjalët e urta të dijetarëve të lashtë kinezë për të shtjelluar mendimin e administrimit të vendit.

Shtëpia botuese kineze e Hong-Kongut "Zhonghua" botoi sivjet librin "Interpretimi i citimeve klasike të Xi Jinping-ut", i cili përmban citimet klasike të kryetarit Xi qysh prej viteve 80 dhe sfondin, prejardhjen dhe kuptimet e tyre. Përmbajtjet e këtyre citimeve klasike përfshin ëndrrën kineze, reformën, luftën kundër korrupsionit, administrimin e funksionarëve, mësimin dhe trajnimin etj. Nëpërmjet këtij libri, lexuesit shqiptarë do të njihen me ideologjinë e liderit të tanishëm kinez për qeverisjen e vendit. Kjo është hera e parë në botë që ky libër botohet në një gjuhë të huaj.

Ambasadorja Jiang u shpreh se në prill të këtij viti, Kina dhe Shqipëria nënshkruan "Marrëveshjen e Bashkëpunimit për Botimin dhe Përkthimin e Veprave Klasike". Kështu parashikohet që në pesë vitet e ardhshëm të botohen gjithsej 50 vepra klasike të të dy vendeve për nxitjen e bashkëpunimit në fushën e botimeve.

"Kina dhe Shqipëria kanë një histori të lashtë dhe kulturë të pasur ndaj dhe potenciali i bashkëpunimit është i madh," tha Jiang ndërsa shtoi se shpreson që botimet dypalëshe do të shtohen.

"Popujt e të dy vendeve mund të gëzojnë më shumë rezultate nga bashkëpunimi kulturor, i cili mund të forcojë lidhjet shpirtërore dhe nxisë marrëdhëniet miqësore midis Kinës dhe Shqipërisë," shtoi ambasadorja.

Në fjalimin e tij, drejtori i Shtëpisë Botuese 'Onufri', Bujar Hudhri, tha se shkëmbimet tregtare midis Shqipërisë dhe Kinës po zgjerohen vazhdimisht, por nënvizoi se shkëmbimet kulturore nuk janë të plota.

"Shpresojmë që botimi në shqip i librit "Urtësia Shekullore dhe Qeverisja" do të jetë hapi i parë i bashkëpunimit në fushën e botimeve dhe do të nxisë botimin e më shumë veprave kineze në shqip. Kështu do të nxitet njohja e miqësia e popujve të të dy vendeve," tha Hudhri.

Kryetari i shoqatës Iliaz Spahiu foli lidhur me njohuritë dhe ndjenjat e tij për kulturën tradicionale kineze, mbështetur në përvojën e vet shumëvjeçare të studimit dhe të punës në Kinë. Ai u shpreh se kultura tradicionale kineze ka një histori të gjatë dhe idetë e mençura e filozofëve të lashtë kinezë mund të përdoret edhe në kohën e sotme. Kultura kineze është pasuria e madhe shpirtërore e qytetërimit njerëzor, tha z. Spahiu, duke shtuar se botimi në gjuhën shqipe i veprës "Urtësia shekullore dhe qeverisja - Citimi i veprave klasike kineze nga presidenti Xi Jinping" jo vetëm do të ndihmojë në të kuptuarit më të mirë nga publiku shqiptar të koncepteve qeverisëse të liderëve kinezë, por edhe do të hapë një dritare për njohjen e kulturës së lashtë kineze.

Në fjalën e vet anëtarja e redaksisë së shqipes të Radios së Jashtme e Kinës dhe një nga përkthyeset e librit, Zhang Yan, përmendi vargun e poetit kombëtar shqiptar Naim Frashëri:"Dhe drit'e diturisë përpara do na shpjerë", duke thënë se dituria jo vetëm mund ta ndihmojë një njeri të ketë sukses personal, por mund të nxitë edhe përparimin e një vendi. Ajo tha se ndonëse përkthimi është një proces me shumë vështirësi dhe sfida, përsëri bashkëpërkthimi i këtij libri i dha shumë kënaqësi. Znj. Zhang shprehu besimin se lexuesit e këtij libri do ta kuptojnë më mirë konceptin qeverisës të presidentit të Kinës Xi Jinping, dhe do të njohin më shumë historinë e kaluar, gjendjen e tanishme dhe prirjet e zhvillimit të ardhëm të Kinës. Ajo vuri në dukje se ky është botimi i parë në gjuhë të huaj i kësaj vepre, prandaj lexuesit shqiptar janë të parët që mund ta lexojnë atë në gjuhën amtare.

Veprimtaria u pasqyrua gjerësisht nga mediat e ndryshme shqiptare. (Xu Guang)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China