Parlamenti i Koresë së Jugut ratifikoi Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë (MTL) me Kinën, gjatë seancës plenare të së hënës. Projekt-ligji për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë (MTL) u miratua nga Asambleja Kombëtare me 196 vota pro, 33 kundër dhe 36 abstenime.
Kina dhe Korea e Jugut nënshkruan në qershor të këtij viti Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, pas 3 vjet bisedimesh. Sipas marrëveshjes, të dyja palët do të heqin taksat në më shumë se 90% të mallrave të tregtuara përkatësisht, 20 vjet pas zbatimit të saj.
Pala koreanojugore pret që në 10 vitet e ardhshëm, Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me Kinën të rritë GDP-në e saj me 0.96 pikë përqindjeje si dhe të krijojë 53 mijë vende të reja pune.
Në një deklaratë të qeverisë koreanojugore theksohet se do të bëhen përpjekje për zbatimin e marrëveshjes brenda këtij viti, nëpërmjet pakësimit të procedurave si dhe duke u këshilluar me palën kineze. Korea e Jugut shpreson se MTL me Kinën do të ndikojë në rritjen e eksporteve, të cilat kanë shënuar rënie si pasojë e ngadalësimit të ekonomisë globale. Në tetor eksportet koreanojugore pësuan një ulje në 15.9% krahasuar me një vit më parë, rënia më e madhe mujore e tyre, në 6 vitet e fundit. (Eda Merepeza)