Kina dhe 16 vendet e Europës Qendrore e Lindore përcaktuan disa fusha për të nxitur bashkëpunimin e gjithanshëm gjatë pesë viteve të ardhshëm.
Prioritet do të mbetet infrastruktura, financat dhe bujqësia, të cilat përcaktojnë dhe axhendën afatmesme të lëshuar pas samitit të katërt 'Kina – Europa Qendrore e Lindore' i mbajtur në qytetin Suzhou, të provincës lindore Jiangsu.
Gjatë samitit me temë "Fillim i ri, fusha të reja, vizion i ri," Kina dhe vendet e Europës Qendrore e Lindore ranë dakord për t'i ngritur marrëdhëniet dypalëshe në një nivel të ri brenda kornizës së bashkëpunimit të njohur si mekanizmi '16+1'.
Kryeministri kinez Li Keqiang propozoi themelimin e partneritetit me fitime të ndërsjella midis Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore, që do të përqendrohet për të nxitur ndërlidhjen dhe përparimin e bashkëpunimit për kapacitetin prodhues.
Gjatë samitit, Kina nënshkroi marrëveshje të posaçme me Hungarinë dhe Serbinë për ndërtimin e hekurudhës së shpejtësisë së lartë midis Beogradit dhe Budapestit.
Ndërtimi i kësaj hekurudhe që do të shkurtojë përgjysmë kohën e udhëtimit midis dy kryeqyteteve, do të fillojë brenda këtij viti dhe do të përfundojë brenda dy viteve.
Kryeministri Li propozoi gjithashtu nismën për të nxitur bashkëpunimin midis porteve të Baltikut, Adriatikut dhe Detit të Zi.
"Ne jemi të gatshëm për të bashkëpunuar me vendet e Europës Qendrore e Lindore në tre rajone detare. Duke qenë se ne kemi eksperiencë të pasur për projektimin e porteve dhe makinerive të prodhimit, jemi të gatshëm për të investuar në projektet e porteve të vendeve të Europës Qendrore e Lindore."
Kryeministri Li tha gjithashtu se Kina do të shtojë importimin e produkteve cilësore bujqësore nga vendet e Europës Qendrore e Lindore, si dhe të nxitë shkëmbimet njerëzore.
Tregtia e Kinës me vendet e Europës Qendrore e Lindore ka një vëllim prej 60 miliardë dollarësh, sa një e dhjeta e vëllimit të përgjithshëm me vendet europiane. (Leftion Peristeri)