Ministrja e Kulturës e Shqipërisë Mirela Kumbaro dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj mbajtën fjalët e rastit në këtë ceremoni, dhe u takuan më pas e shkëmbyen mendime me përfaqësuesit e kompanive kineze.
Më parë, ambasadorja Jiang Yu u takua me delegacionin e Shoqatës së Shërbimeve Tregtare Ndërkombëtare të Shangait, të drejtuar nga zv.drejtori i përhershëm i kësaj shoqate Wu Genbao. I pranishëm ishte edhe atasheu ekonomik e tregtar i Ambasadës kineze në Tiranë.
Zv.drejtori i Shoqatës së Shërbimeve Tregtare Ndërkombëtare të Shangait Wu Genbao u shpreh se, në bazën e përvojës së kaluar, kjo shoqatë ka organizuar kryesisht kompanitë e pajisjeve të vogla, të pajisjeve elektro-shtëpiake, të produlteve të konsumit të përditshëm etj. për të marrë pjesë në këtë ekspozitë. Shoqata shpreson të krijojë një platformë efikase bashkëpunimi për shkëmbimet tregtare mes kompanive kineze dhe atyre shqiptare dhe t'u ofrojë kompanive kineze mundësi për hetimin e tregut për investime në Shqipëri. Wu u shpreh se Shoqata e Shërbimeve Tregtare Ndërkombëtare e Shangait do të organizojë veprimtari më të mëdha shkëmbimesh ekonomiko-tregtare, kulturore etj., për të forcuar më tej bashkëpunimin kino-shqiptar.
Ambasadorja Jiang Yu falënderoi Shoqatën e Shërbimeve Tregtare të Shangait për punët e saj konkrete për nxitjen e tregtisë mes Kinës dhe Shqipërisë, duke u shprehur se tani Kina dhe Shqipëria kanë lidhje gjithnjë e më të ngushta tregtare. Znj. Jiang theksoi se kompanitë kineze duhet ta shfrytëzojnë këtë periudhë të rëndësishme të zhvillimit të Shqipërisë dhe të bëjnë biznes e investime në mënyrë aktive dhe të qëndrueshme në tregun shqiptar, për të shtuar në mënyrë efikase aftësinë e tyre në investime, menaxhim dhe shitje në tregun ndërkombëtar.
Panairi Ndërkombëtar i Tiranës është panairi më i madh ndërkombëtar në Shqipëri dhe një nga panairet më të rëndësishme në Ballkan. Sivjet në këtë panair marrin pjesë mbi 800 kompani nga 55 vende të botës. (Jiang Lei/Artan)