Forumi i 5-të Ekonomiko-tregtar që po mbahet në Suzhou të Kinës synon shtimin e bashkëpunimit dhe lidhjeve mes Kinës dhe 16 vendeve të Europës Qendrore e Lindore.
Në ceremoninë e hapjes së Forumit, kryeministri kinez Li Keqiang propozoi krijimin e fondit financiar shumëpalësh për financimin e projekteve të rëndësishme në Europën Qendrore e Lindore, pjesë e nismës së bashkëpunimit "16+1".
Ai tha gjithashtu se ndërtimi i hekurudhës me shpejtësi të lartë që lidh Beogradin dhe Budapestin do të nisë në fund të këtij viti.
Ndërtimi i hekurudhës që do të shkurtojë në gjysmë kohën e udhëtimit mes dy kryeqyteteve, do të përfundojë brenda 2 vitesh.
Li Keqiang zhvilloi përpara forumit një takim me homologun e tij slloven Miro Cerar. Kryeministri kinez tha se Kina është e interesuar në rinovimin e projektit të Portit slloven Koper. (Albana)