Takimi i CEO-ve të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit përfundoi punimet në Manila të Filipineve me një deklaratë të përbashkët, ku shprehet angazhimi i vendeve pjesmarrëse për ndërtimin e një ekonomie gjithëpërfshirëse, bazuar në reforma strukturore ambicioze.
Presidenti i Filipineve Benigno Aquino III tha se deklarata e përbashkët shërben dhe si udhëzues për zhvillimin e sektorit të shërbimeve, në rajonin e Azi-Paqësorit.
"Sektori i shërbimeve po bëhet një faktor i rëndësishëm ekonomik, pasi zë afërsisht 2/3 e GDP-së në vendet e APEC-ut. Duhet të punojmë për ta bërë këtë sektor sa më konkurrues. Ky takim do të na drejtojë në arritjen e objektivave për zhvillimin prioritar të këtij sektori, në dekadën e ardhshme."
Udhëheqësit e pranishëm në takim rikonfirmuan angazhimin e tyre për miratimin e Zonës së Tregtisë së Lirë të Rajonit të Azi-Paqësorit. (Eda Merepeza)