Shqipëria do të marrë një fond prej 15.9 milionë eurosh nga Bashkimi Europian si ndihmë për përmbytjet që përfshinë vendin gjatë dy muajve të parë të vitit, njoftoi Ministria e Bujqësisë të mërkurën.
Programi synon përmirësimin e veprimit ndaj përmbytjeve duke shtuar paralajmërimet dhe përmirësuar mekanizmat e mëparshme për parandalimin e fatkeqësive natyrore. Gjithashtu ai parashikon forcimin e infrastrukturës së mbrojtjes nga përmbytjet.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, programi do të rrisë mbështetjen për komunitetet e prekura nga përmbytjet dhe ndërgjegjësimin e tyre për mbrojtjen e infrastrukturës nga përmbytjet.
Ndihma nga BE-ja do të mundësojë gjithashtu rifillimin e aktivitetit ekonomik dhe prodhimit bujqësor në zonat e prekura.
Shqipëria u prek rëndë nga përmbytjet janarin dhe shkurtin e kaluar pas daljes nga shtrati të lumit Vjosa. (Leftion Peristeri)