Presidenti Xi Jinping deklaroi të dielën se këtë vit ekonomia kineze pritet të shënojë një rritje rreth 7%, duke shtuar se Kina do të vazhdojë të kontribuojë për 1/3 e rritjes së ekonomisë globale.
Duke iu drejtuar Samitit të G20-ës në Turqi, kreu i shtetit Xi tha se Kina ka besim dhe aftësinë për të ruajtur një rritje ekonomike mesatare- të lartë.
Duke komentuar deklaratën e presidentit Xi, eksperti i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare Bashkëkohore, Chen Fengying, tha se Kina do të vazhdojë kontributin e rëndësishëm në ekonominë botërore.
"Presidenti Xi Jinping theksoi se duhet të kemi besim që Kina mund të arrijë objektivin për rritjen ekonomike dhe përshtatje strukturore, për një rritje "të re normale". Kina ka dhënë një kontribut të madh ndaj botës, nëpërmjet rritjes së shpejtë ekonomike dhe përshtatjes, duke ngjallur besim në mbarë botën. Kina vazhdon të luajë një rol drejtues dhe do të kontribuojë në ekonominë botërore."
Sipas ekspertit Chen ekonomia botërore ndodhet në fazën e përshtatjes.
"Tregu përballet me probleme të reja, por Kina mbetet kontribuesi kryesor në ekonominë botërore. Duhet të provojmë tregjet e reja, në të cilat ndërtimi strukturor përbën kyçin e investimeve. Unë propozoj një treg të hapur dhe tolerant dhe krijimin e partneritetetit strategjik global. Këto do të ndihmojnë në zhvillimin e ekonomisë botërore."
Në fjalën e tij presidenti Xi Jinping tha se Kina ka dhënë një kontribut mbi 50% në rritjen e ekonomisë botërore në periudhën 2009-2011. Pavarësisht ngadalësimit të rritjes ekonomike, kontributi i Kinës në ekonominë globale mbetet 30%. Ai e vuri theksin te besimi dhe aftësia e Kinës për thellimin e reformave gjithëpërfshirëse dhe ndërtimin e një stistemi të hapur ekonomik.(Eda Merepeza)