Bashkimi Europian po shqyrton ngritjen e qendrave të përpunimit në vendet ballkanike, jo-anëtare të BE-së, për të kontrolluar kërkesat për azil të emigrantëve, që ndodhen në veri të Greqisë. Ministri i jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn e konfirmoi lajmin pasi ministrat e brendshëm të BE-së shqyrtuan përpjekjet për çeshtje që lidhen me krizën e emigrantëve dhe refugjatëve.
Asselborn theksoi se numri i emigrantëve që mbërrijnë në ishujt grekë është më i madh se kapacitetet pritëse të këtij vendi, ndaj propozoi lehtësimin e tranzitit të tyrë nga Greqia drejt vendeve të tjera.
"Kjo ide mund të përcaktohet më tej, por përpunimi i të dhënave të emigrantëve përgjatë rrugës duhet mirëpritur prej tyre, për të nisur më pas procedurat e azilit dhe në të kundërt të kthimit të tyre, në vendet e origjinës. Kjo ide i shërben lehtësimit të fluksit të emigrantëve, që po ndodh aktualisht."
Më tej ministri i jashtëm luksemburgas shtoi se në këto qendra do të kryhet regjistrimi dhe identifikimi i emigrantëve, marrja e shenjave të gishtërinjve, si dhe shqyrtimin fillestar për të përcaktuar dhënien e azilit apo deportimin nga Europa.
Muajin e kaluar, liderët e vendeve të BE-së ranë dakord me vendet ballkanike, përfshirë Serbinë dhe Maqedoninë për strehimin e 50 mijë emigrantëve, në rrugën e tyre të tranzitit nga Greqia drejt vendeve të tjera të Unionit. (Eda Merepeza)