Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim parashikon rritje të qëndrueshme të ekonomisë së Shqipërisë me 2.5 përqind në vitin 2015, pavarësisht përmbytjeve të mëdha në jug të vendit gjatë fillimit të vitit.
Sipas raportiti 'Perspektivat Ekonomike Rajonale,' i publikuar të enjten, banka thotë se autoritetet rritën përpjekjet e tyre për uljen e informalitetit në ekonomi dhe mbështetën së bashku me BERZH-in Keshillin e Investimeve, i cili synon përmirësimin e klimës së investimeve në një periudhë afatmesme.
BERZH parashikon se rritja ekonomike e Shqipërisë do të arrijë nivelin e 3.3 për qind në vitin 2016 në bazë të pritshmërive për përmirësime të gjendjes në eurozonë dhe fillimit të ndërtimeve të gazsjellësit Trans-Adriatic Pipeline (TAP).
Megjithatë, thekson BERZH, sfidat fiskale vazhdojnë të jenë të ndjeshme dhe qeveria po përpiqet të arrijë objektivat e miratuar në kuadër të programit të FMN-së.Në përgjithësi, pritshmëritë për ekonomitë ku BERZH investon vazhdojnë të jenë të ndara midis shteteve më në lindje të ndikuara nga reçesioni i Rusisë dhe çmimet e ulura të gazit dhe mallrave të tjera. (Leftion Peristeri)