Grupi i parë prej 30 refugjatësh u nis të mërkurën me avion nga Athina drejt Luksemburgut. Kjo është hera e parë që refugjatët e ndodhur në Greqi po u drejtohen vendeve të tjera të BE-së, sipas planit të rishpërndarjes së refugjatëve. Në këtë grup refugjatësh u përfshinë 4 familje siriane dhe 2 irakiane, të cilët kishin mbërritur në Greqi nga Turqia. Sipas planit të BE-së për rishpërndarjen e refugjatëve, rreth 66 mijë prej tyre do të dërgohen nga Greqia në vende të tjera të Unionit.
Të mërkurën, ministri qipriot i mbrojtjes Christoforos Fokaides njoftoi se 26 refugjatë u shpëtuan 10 km larg bregdetit juglindor të vendit. Ata ishin nisur të premten me anije nga Libani drejt Greqisë dhe për shkak të motit të keq kishin kërkuar ndihmë. Mësohet se pjesa më e madhe e refugjatëve në anije ishin nga Siria. (Çang Çuo/Eda Merepeza)