Shqipëria po merr masa për të përballuar fluksin e refugjatëve që vijnë nga Afrika e Veriut dhe që mund ta përdorin Shqipërinë si një rrugë të re kalimi për në Europën Perëndimore.
Dy rajone në pjesën juglindore të Shqipërisë, Korça dhe Gjirokastra janë angazhuar intensivisht në përgatitjen logjistike për të pritur emigrantët, njoftoi të martën Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Kryeministri Edi Rama deklaroi më herët se Shqipëria është e gatshme të luajë rolin e saj në planin e Bashkimin Europian për strehimin e 100.000 refugjatëve në Ballkan.
Sipas autoriteteve shqiptare, ish reparti ushtarak në qytetin e Bilishtit pranë kufirit grek është gati për të pritur afro 500 refugjatë. Baza të tjera ushtarake të braktisura, të cilat i përkasin qeverisë, gjithashtu janë duke u përgatitur për dyndje të mundshme të refugjatëve që vijnë nga Greqia.
Në Gjirokastër, kampet e pritjes kanë një kapacitet deri në 5,000 njerëz. Aerodromi i Gjirokastrës dhe objekte të tjera ushtarake do të jenë qendra kryesore të pritjes. (Leftion Peristeri)