Kryeministri i Rusisë Dmitry Medvedev reagoi të dielën ndaj vendimit të qeverisë ukrainase për të ndaluar të gjitha kompanitë ajrore ruse të fluturojnë në Ukrainë.
"Fluturimet e të gjitha linjave ajrore ruse janë ndaluar nga nisma e qeverisë ukrainase. Ky është një tjetër shembull i përpjekjeve të Ukrainës kundër popullit të saj," shkruan Medvedev në Facebook-un e tij.
Masat ndëshkuese të Kievit u shpallën më 25 shtator dhe hynë në fuqi më 25 tetor.
Presidenti ukrainas Petro Poroshenko nënshkroi një dekret muajin e kaluar për vendosjen e sanksioneve ndaj 388 individëve dhe 105 kompanive ruse, përfshi 25 linja ajrore, pasi dyshohen të kenë ndihmuar kryengritësit në rajonet lindore të Ukrainës.
Kievi ka fajësuar vazhdimisht Moskën për nisjen e konfliktit në rajonet e Ukrainës Lindore të Lugansk-ut dhe Donetsk-ut, ku kryengritësit po kërkojnë pavarësi. (Albana)