Fjala kyçe:孔子---Kǒng Zǐ---Konfuci
20151023kongzi |
Paraditen e të enjtes sipas orës vendore, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping që ndodhet për vizitë në Londër mori pjesë në mbledhjen vjetore të degëve të Institutit Konfuci në Britani. Në fjalimin e rastit, lideri kinez vlerësoi se rezultatet e arritura nga degët e Institutit Konfuci reflektojnë zhvillimin e shkëmbimeve kulturore midis dy vendeve. Ai i inkurajoi mësuesit dhe nxënësit e Institutit të bëjnë më shumë përpjekje në nxitjen e njohjes dhe të miqësisë dypalëshe.
I shoqëruar nga Duka I York-ut, Princi Andrew, presidenti Xi vizitoi foto-ekspozitën për veprimtarinë e degëve të Institutit Konfuci dhe të klasave të Konfucit në Britani. Ata zbuluan atje edhe pllakën hyrëse të klasës së 1000-të të Konfucit në botë.
Xi Jinping u shpreh se gjuha është çelësi më i mirë për të njohur një vend dhe Instituti Konfuci shërben si një platformë e rëndësishme nbëpërmjet së cilës bota njeh Kinën. Instituti dhe klasat Konfuci kanë luajtur një rol aktiv në nxitjen e mësimdhënies së gjuhës kineze dhe të njohjes së kulturës kineze në nivel botëror, tha Xi.
Xi Jinpingu vuri në dukje se vitet e fundit, duke u mbështetur mbi burimet e pasura arsimore vendore, Instituti Konfuci ka shënuar zhvillim të shpejtë në Britani. Aktualisht në këtë vend janë krijuar 29 degë të Institutit Konfuci dhe 126 klasa Konfuci, duke përbërë numrin më të madh ndër vendet europiane. Thelbi kulturor në fushën e mendimit dhe të mënyrës së jetesës të të dy popujve po bëjnë "një reaksion kimik mahnitës", tha Xi duke nxitur përfaqësuesit e stafit dhe të nxënësve të bëjnë më shumë përpjekje për forcimin e këtyre marrëdhënieve.
"Shpresoj se me parimin e 'respektit reciprok, të konsultimeve miqësore dhe barazisë me leverdi të ndërsjellë', Instituti Konfuci do të japë në vijim kontribut për përhapjen e kulturës, shtimin e njohjes dhe nxitjen e larmisë së qytetërimeve botërore", tha Xi Jinping në takim.
Znj. Zhang Fengchun, pedagoge pranë Institutit Konfuci në Universitetin Lancaster tha për mediat kineze se gjithnjë e më shumë studentë britanikë po mësojnë gjuhën kineze, sepse ata e pëlqejnë kulturën e historinë kineze, e cila ka vlerë të çmuar në karrierën e tyre të ardhshme.
"Në fillim kishim vetëm 10 studentë. Ndërsa tani 30 studentë ndjekin çdo vit degën tonë. Nga kjo mund të kuptojmë interesimin e shtuar të studentëve britanikë për Kinën dhe zotërimin e gjuhës kineze", tha znj. Zhang.