Të dy vendet do të hapin një epokë të re të artë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, duke përfshirë marrëdhëniet me përfitim të ndërsjelltë dhe krijimin e një të ardhmeje të ndritur të marrëdhënieve dypalëshe. Kjo u theksua gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të presidentit kinez Xi Jinping dhe kryeministrit britanik David Cameron, pas bisedimeve.
Kina dhe Britania janë dy vende të mëdha dhe me ndikim dhe partneriteti i tyre ka arritur një pikë të re nisjeje, tha presidenti Xi, duke bërë thirrje që të dy vendet të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për promovimin e marrëdhënieve të tyre.
Të dy liderët arritën një konsensus të rëndësishëm lidhur me marrëdhëniet dypalëshe si dhe bashkëpunimin me përfitim të ndërsjelltë, në kuadër të "partneritetit strategjik të gjithanshëm" që ka hyrë në dekadën e dytë, theksoi presidenti i Kinës, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Cameron.
Kreu i shtetit kinez Xi theksoi se gjatë vizitës së tij në Britani do të nënshkruhen disa marrëveshje bashkëpunimi ndërqeveritare dhe midis bizneseve, përfshirë dhe ndërtimin e stacionit të energjisë bërthamore Hinkley Point.
Lidhur me këtë kryeministri britanik Cameron tha se projekti do të japë siguri, energji për rreth 6 milion banesa dhe do të krijojë 25 mijë vende pune. " Marrëdhënia jonë shkon përtej tregtisë dhe investimeve" tha Cameron në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin Xi, duke nënvizuar se Kina dhe Britania janë "fuqi globale", me interesa të përbashkëta në një botë të qëndrueshme dhe moderne.
(Eda Merepeza)