Presidentit kinez Xi Jinping dhe bashkëshortes së tij Peng Liyuan, iu rezervua një pritje madhështore të martën në Londër. Veprimtaritë e mirëseardhjes pasqyruan rëndësinë e madhe që Britania i kushton marrëdhënieve me Kinën. Kreu i shtetit i Kinës Xi iu drejtua me një fjalim, pasditen e së martës Parlamentit britanik, ku u prit me të njejtën atmosferë.
"Ndonëse vizita ime sapo ka nisur, jam thellësisht i impresionuar për vitalitetin e marrëdhënieve kino-britanike dhe marrëdhënien e thellë midis dy popujve tanë."
Gjatë fjalimit të presidentit Xi në parlament ishin të pranishëm kryeministri David Cameron dhe politikanë përfaqësues të të gjithë spektrit politik në Britani. Gjatë fjalimit Xi vlerësoi Britaninë për angazhimin në marrëdhënien e gjatë dhe aktive me Kinën.
"Qysh nga krijimi i Kinës së Re në vitin 1949, dy vendet tona kanë ndjekur rrugën e marrëdhënieve dypalëshe në fusha të ndryshme. Mbretëria e Bashkuar është e para fuqi botërore që ka njohur Kinën e Re, si dhe vendi i parë i BE-së që ka krijuar partneritetin strategjik të gjithanshëm me Kinën. Britania është qendra më e madhe në botë, pas Hong Kongut për ndërkombëtarizimin e RMB-së. Krahasuar me vendet e tjera të BE-së, Britania ka numrin më të madh të studentëve kinezë dhe Instituteve Konfuci."
Presidenti kinez shprehu entuziazëm për të ardhmen e ndritur të marrëdhënieve midis Kinës dhe Britanisë.
"Shekspiri ka shkruar se "çfarë ka kaluar është një prolog". Ne jemi në epokën e paqes dhe të zhvillimit. Në këtë epokë vendet e ndryshme duhet të përballen me sfidat dhe të punojnë së bashku. Ashtu siç thotë një shprehje kineze " Një mal nuk mund të jetë kurrë aq i lartë dhe as një oqean nuk mund të jetë aq i thellë." Kjo epokë e re kërkon nga ne të bashkojmë duart dhe të ecim përpara drejt partneritetit strategjik të gjithanshëm."
Kreu i shtetit i Kinës u bëri thirrje ligjvënësve britanikë të forcojnë më tej bashkëpunimin kino-britanik.
"Unë shpresoj se ju do ta bëni këtë. Siç thotë një shprehje kineze "Sa më lart të qëndrosh, aq më mirë sheh!". Besoj se ju do të nxitni më tej marrëdhëniet dypalëshe, do të forconi miqësinë dhe bashkëpunimin dypalësh. Gjithashtu shpresoj se ju do të ndërtoni një urë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi drejt një të ardhmeje të ndritur dhe premtuese të marrëdhënieve tona."
Të mërkurën presidenti Xi Jinping do të zhvillojë bisedime me kryeministrin britanik David Cameron. Një sërë marrëveshjesh pritet të nënshkruhen ndërmjet qeverive, institucioneve financiare dhe sipërmarrjeve në fusha të ndryshme. Vizita shtetërore e kreut të shtetit Xi në Britaninë e Madhe përfundon të premten. (Eda Merepeza)