Fjala kyçe: 金融---Jīn Róng---Financat
Me shtimin e investimeve midis Kinës e Britanisë, është forcuar shumë bashkëpunimi financiar dypalësh. Gjatë vizitës aktuale të presidentit Xi Jinping në Britani, bashkëpunimi financiar kino-britanik pritet të shënojë rezultate të reja, duke shpejtuar ndërkombëtarizimin e monedhës Renminbi.
Qyteti financiar i Londrës quhet zemra ekonomike e Britanisë, ku përfshihen më se 500 banka e 180 bursa të letrave me vlerë. Më 19 tetor, në këtë qytet u krijua dega e Bankës së Ndërtimit të Kinës.
Dega e Londrës e Bankës së Ndërtimit të Kinës u krijua në vitin 2009, ndërsa në vitin 2012, kjo bankë emetoi për herë të parë në Britani obligacion në Renminbi. Në vitin 2014, Banka e Ndërtimit e Kinës u bë banka e parë e likuidimit në Renminbi në Britani. Deri tani, më se 50 banka e institucione financiare të mëdha kineze e të huaja kanë hapur llogari likuidimi në degën londineze të të Bankës së Ndërtimit dhe vëllimi i likuidimit ka kaluar 4.5 trilionë juanët. Presidenti i Bankës së Ndërtimit të Kinës Wang Hongzhang, që shoqëron kryetarin Xi Jinping për vizitë në Britani thotë:
"Bashkëpunimi kino-britanik në fushën financiare është forcuar pandërprerë, qeveritë, bankat qendrore dhe organet përkatëse financiare të të dy vendeve përkrahin fuqimisht zgjerimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, veçanërisht ndërtimin në Britani të qendrës financiare të Renminbi-së jashtë Kinës."
Në intervistën e dhënë agjencisë së lajmeve Reuters para nisjes për në Britani, Xi Jinping vuri në dukje se forcimi i bashkëpunimit financiar midis Kinës e Britanisë do t'u sjellë të dy palëve përfitime. Studiuesi i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare të Kinës Teng Jianqun është i mendimit se bashkëpunimi financiar dypalësh do të nxitë më tej reformën e hapjen e financave kineze:
"Kina po shpejton hapat e reformës dhe të hapjes financiare dhe përvoja britanike do të nxitë këtë proces. Gjatë vizitës së kryetarit Xi Jinping në Britani, bashkëpunimi financiar do të jetë një nga pikat më të rëndësishme."
Nga ana e saj, studiuesja e Institutit të Marrëdhënieve Moderne Ndërkombëtare të Kinës Chen Fengying është e mendimit se bashkëpunimi i tanishëm kino-britanik është shembulli i bashkëpunimit midis Kinës e vendeve perëndimore dhe marrëdhëniet e partneritetit financiar dypalësh kanë luajtur një rol drejtues në këtë bashkëpunim. Krijimi në Londër i qendrës së ndërkombëtarizimit të Renminbi-së në Perëndim do t'u sjellë të dy vendeve përfitime. Ajo thotë:
"Londra mund të sigurojë shumë përfitime nga kjo qendër, së pari dotë përfitojë të ardhura nga taksat, së dyti do të shtohet punësimi dhe së treti do të gjallërohet tregu, duke ruajtur pozitën e vet të qendrës financiare." (Fani)