Kroacia hapi të hënën kufirin e saj me Serbinë, duke lejuar hyrjen e refugjatëve, që prej dy ditësh ndodheshin aty. Zëdhënësja e OKB-së për rajonin Melita Sunjic, tha se rreth 3 mijë njerëz kishin qëndruar në rradhë në kufi dhe se shumë të tjerë pritet të vijnë.
"Që dje, Kroacia ka ngadalësuar fluksin e pranimit të emigrantëve, për këtë arsye numri i tyre aktualisht është 2 mijë ose 3 mijë vetë dhe të tjerë janë duke ardhur."
Ministri serb i punës dhe çeshtjeve sociale, Aleksandar Vulin tha se vendi i tij po bën gjithçka që mundet.
"Situata është shumë e vështirë, por ne do të bëjmë gjithçka që mundemi. Mund të vendosim një lloj mbulese këtu, por kjo nuk është zgjidhje. Emigrantët kanë ushqim të mjaftueshëm, ilaçe dhe mjekë, por as kjo nuk e zgjidh problemin. Serbia nuk mund ta përballojë e vetme fluksin e refugjatëve ."
Rreth 10 mijë emigrantë kanë hyrë të dielën në Serbi nga Maqedonia.(Raela)