Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti deklaroi të martën se, "reforma që do të ndërmarrim në sektorin e veterinarisë dhe sigurisë ushqimore, do të jetë më e rëndësishmja pas asaj që ka ndërmarrë qeveria në drejtësi, si reforma që do të garantojë sigurinë ushqimore në vend dhe eksportet shqiptare në BE".
Ministri Panariti tha se Bashkimi Evropian do të përqëndrohet më intensivisht vitin e ardhshëm për këtë reformë, pasi siguria e garancia e ushqimeve është kusht i domosdoshëm për të eksportuar në BE.
Ministri Panariti, bëri të ditur se ka diskutuar me Ambasadoren e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin për proçesin e disbursimit të fondit të akorduar nga BE prej 71 milionë euro, për zhvillimin dhe mbështetjen e bujqësisë shqiptare.
Sipas ministrit Panariti, "duke iu referuar të dhënave të fundit të 6-mujorit të parë të këtij viti, prodhim bujqësor u rrit me vlerën 4,4 miliardë lekë në krahasim me 2,9 miliardë lekë në të njëjtën periudhë me një vit më parë".(ATSH)