Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan po kërkon mbështetjen europiane për krijimin e një zone të ndalim fluturimit në kufirin sirian, duke argumentuar se një veprim i tillë është shumë i rëndësishëm për t'i dhënë fund krizës së refugjatëve.
Ai i bëri propozimet pas takimeve me udhëheqësit e BE-së mbi çështjen e refugjatëve në Bruksel.
"Nga njëra anë duhet të përqendrohemi tek trajnimi dhe pajisjet. E dyta, duhet të shpallet një zonë e sigurt që do të jetë e mbrojtur nga terrorizmi, dhe e treta krijimin e një zone ndalim fluturimi."
Në konferencën e përbashkët për shtyp, presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, tha se Europa është e gatshme ta ndihmojë financiarisht Ankaranë, sigurimin e kufijve dhe mundësinë e lehtësimit të vizave për shtetasit turq.
Ai gjithashtu kërkoi që Turqia të përmirësojë menaxhimin për të ndaluar refugjatët të vërshojnë në BE. Deri tani Turqia po strehon rreth dy milion refugjatë, shumica nga Siria dhe Iraku. (Leftion Peristeri)