Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, deklaroi në fundjavë se që nga data 28 shtator për 4 ditë me radhë Shqipëria do të jetë në tregjet kryesore europiane për të emetuar eurobondin, ndërsa siguroi se nuk do të ketë rritje taksash në vitin 2016, kjo e rënë dakord edhe me FMN-në. Është bërë njoftimi për Shqipërinë, që ka dalë në treg, tha ministri Cani gjatë një konference për shtyp, duke shtuar se tregu po ecën në drejtimin e duhur dhe se monedha e zgjedhur është euro.
Ministri Cani siguroi se emetimi i eurobondit nuk do të rrisë borxhin publik. Duke folur për reformën për informalitetin, Cani tha se nëse bizneset do të deklarojnë gjendjen e mallrave pa faturë deri më 31 dhjetor 2015, u hiqet penaliteti apo ndjekja penale, referuar ndryshimeve në ligjin e ri të procedurave tatimore, miratuar këtë javë në Kuvend. (ATSH)