20150903xi |
"Bashkatdhetarë, të nderuar liderë shtetesh e qeverish, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare si OKB-ja etj., të ftuar, gjeneralë e ushtarakë në paradë, zonja e zotërinj, shokë e miq:
Sot është një ditë që do të mbetet gjithmonë në kujtesën e popujve të mbarë botës. Si sot 70 vjet më parë, populli kinez, pas një lufte të vendosur 14-vjeçare, arriti një fitore madhështore në luftën e vet të rezistencës kundër agresionit japonez, duke shënuar fitoren e plotë të Luftës Antifashiste Botërore. Në atë ditë, bota u bekua përsëri me dritën e paqes.
Këtu, në emër të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, të Këshillit të Shtetit, të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez dhe të Këshillit Qendror Ushtarak, u bëj homazhe veteranëve, patriotëve e gjeneralëve që morën pjesë në Luftën kundër Agresionit Japonez dhe bashkatdhetarëve brenda e jashtë vendit, që dhanë një ndihmesë të madhe për fitoren e Luftës. I falënderoj nga zemra qeveritë dhe miqtë e huaj për ndihmën e tyre për popullin kinez në rezistencën ndaj agresionit. U shpreh përshëndetje të ftuarve të pranishëm në mitingun e sotëm.''
Zonja dhe zotërinj, shokë dhe miq!
Lufta e Popullit Kinez kundër Agresorëve Japonezë dhe Lufta Botërore Anti-fashiste ishte një betejë vendimtare madhështore midis drejtësisë dhe së keqes, midis dritës dhe errësirës, midis përparimit dhe reaksionit. Në këtë luftë tragjike, Lufta Anti-japoneze e Popullit kinez filloi herët dhe vazhdoi për një kohë më të gjatë. Duke u ballafaquar me agresorët, populli i pamposhtur kinez, luftoi trimërisht dhe në fund arriti një fitore të plotë kundër agresorëve militaristë japonezë, duke ruajtur civilizimin e vet 5000-vjeçar dhe mbështetur kauzën e paqes së njerëzimit. Ky akt i shquar heroik i kombit kinez ishte i rrallë në historinë e luftës.
Suksesi i luftës së popullit kinez kundër agresorëve japonezë është një suksesi i parë dhe i plotë i Kinës në kundërshtimin e agresorëve të huaj në historinë moderne. Ky triumf i madh dërrmoi komplotin e militaristëve japonezë për të kolonizuar dhe robëruar Kinën dhe i dha fund poshtërimit kombëtar me vuajtje e humbje të njëpasnjëshme nga duart e agresorëve të huaj në kohët moderne.
Ky triumf i madh e risolli Kinën si një vend të madh në botë dhe fitoi respektin e popullit kinez e të gjithë njerëzve që duan paqen në mbarë botën. Ky triumf i madh hapi perspektiva të ndritshme për ringjalljen e madhe të kombit kinez dhe e vendosi vendin tonë të lashtë në pikënisjen e një udhëtim të ri pas rilindjes.
Në këtë luftë, populli kinez me sakrifica të mëdha, mbështeti fushëbetejën kryesore në Lindje të Luftës Antifashiste Botërore dhe dha ndihmesë të madhe për fitoren e kësaj lufte. Lufta e Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez fitoi përkrahjen e gjerë të bashkësisë ndërkombëtare. Populli kinez nuk do ta harrojë kurrë ndihmesën e dhënë nga popujt e vendeve të ndryshme në fitoren e tij kundër agresorëve japonezë.
Zonja e zotërinj, shokë e miq!
Popujt që e përjetuan luftën, e njohin më mirë rëndësinë e paqes. Përkujtimi i 70-vjetorit të fitores së Luftës së Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez dhe të Luftës Antifashiste Botërore bëhet me synimin për të kujtuar historinë e martirët, për të ruajtur paqen dhe për të krijuar të ardhmen.
Lufta u përhap në Azi, Europë, Afrikë e Oqeani. Numri i të vdekurve dhe i plagosurve, ushtarakë dhe civilë, i kaloi 100 milionët, nga të cilët më shumë se 35 milionë kinezë, ndërkohë që numri i të vdekurve të Bashkimit Sovjetik ishte mbi 27 milionë. Mospërsëritja e kësaj historie tragjike është përkujtimi më i mirë për sakrificat e atyre që mbrojtën lirinë, të drejtën e paqen në atë kohë dhe për shpirtart e viktimave të pafajshme.
Lufta është një pasqyrë që mund të ndihmojë njerëzit të njohin më mirë vlerën e paqes. Sot, paqja dhe zhvillimi janë bërë temat kryesore të kohës. Megjithatë, bota prapë nuk është e qetë, "Shpata e Damokleut" ende varet mbi kokat e njerëzimit. Duhet të mësojmë nga historia, duke treguar vendosmëri në ruajtjen e paqes.
Për paqen, ne duhet të ngulim këmbë në konceptin se njerëzimi është një komunitet me jetë të ndërlidhura. Paragjykimi dhe diskriminimi, urretja dhe lufta mund të sjellin vetëm katastrofë dhe hidhërim. Kurse respekti reciprok, bashkëekzistenca e barabartë, zhvillimi paqësor dhe lulëzimi i përbashkët është rruga që duhet të ndjekim.
Vendet e gjithë botës duhet të ruajnë rendin dhe sistemin ndërkombëtar mbi bazën e Kartës së OKB-së dhe parimeve përkatëse, të formojnë marrëdhëniet e reja ndërkombëtare me përfitime të ndërsjella dhe të nxisin bashkarisht paqen dhe zhvillimin e botës.
Kina do të ngulë këmbë në ndjekjen me vendosmëri të rrugës së zhvillimit paqësor. Kombi kinez e do paqen. Kina kurrë nuk do të kërkojë hegjemoni dhe ekspansion. Ajo kurrë nuk do të shkaktojë vuajtjet e saja të së shkuarës, ndaj një kombi tjetër. Populli kinez do të jetojë në miqësi me popujtë e tjerë, të mbrojë pa lëkundje fitoren e arritur në Luftën kundër Agresionit Japonez dhe Luftën Botërore Anti-Fashiste, të japë më shumë kontribut në sajë të njerëzimit.
Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës është ushtri e lindur nga gjiri i popullit. Të gjithë oficerët dhe ushtarët e saj duhet të mbajnë në mend qëllimet themelore të ushtrisë për t'i shërbyer plotësisht popullit, për të kryer me besnikëri detyrat e shenjta të mbrojtjes së sigurisë së atdheut dhe të jetës së popullit dhe për të zbatuar me vendosmëri misionin e shenjtë të mbrojtjes së paqes në botë.
Unë shpall se Kina do të shkurtojë me 300 mijë numrin e forcave të saj ushtarake.
Zonja dhe zotërinj, shokë dhe miq!
"Shumë veta mund ta fillojnë diçka në mënyrë të shkëlqyer, por shumë pak mund ta përfundojnë atë me sukses." Për arritjen e ringjalljes së madhe të popullit kinez nevojiten përpjekjet e të gjitha brezave. Kombi kinez ka krijuar një qytetërim të shkëlqyer mbi 5000-vjeçar dhe mund të krijojë patjetër të ardhme më të ndritur.
Në rrugën e përparimit, të gjitha kombësitë, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kinës, duhet të ngulin këmbë në idetë e marksizëm-leninizmit, në Mendimin e Mao Ce Dunit, në Teorinë e Teng Hsiao Pinit, në idetë e rëndësishme të "3 Përfaqësimeve" dhe në konceptin e zhvillimit shkencor për të vazhduar rrugën e socializmit me karakteristika kineze, të zbatojnë strategjinë e "4 Përgjithësimeve" dhe të çojnë përpara frymën patriotike dhe shpirtin e luftës antijaponeze. Të gjithë të bashkuar në një, të ecim përpara drejt objektivave të përcaktuar, pavarësisht erës dhe suferinës.
Le të kujtojmë së bashku të vërtetën e madhe që na ka mësuar historia: Fitorja i takon së drejtës! Fitorja i takon paqes! Fitorja i takon popullit! (Xu Guang/Artan Goga)