Liderët nga Ukraina, Franca dhe Gjermania kanë bërë thirrje për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Minskut të arritur në muajin shkurt, për t'u dhënë fund luftimeve në lindje të Ukrainës.
Kancelarja gjermane Angela Merkel ka kërkuar që armëpushimi të respektohet.
"Armëpushimi në Ukrainë nuk është zbatuar plotësisht dhe ne vazhdojmë të shohim viktima. Duhet të bëhet gjithçka e mundur që armëpushimi të jetë një realitet," u shpreh znj. Merkel.
Ndërkohë, presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko theksoi se nevojitet më shumë siguri dhe liri për vëzhguesit nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, në zonën e konfliktit.
Luftimet ende po vazhdojnë, ndonëse qeveria ukrainase dhe rebelët kanë rënë dakord për të tërhequr armët e rënda, si pjesë e Marrëveshjes së Minskut.
Rreth 6 500 veta janë vrarë deri tani nga konflikti në Ukrainë.(Raela)