Mekanizmi i Stabilitetit Europian (ESM) miratoi të mërkurën paketën e tretë të ndihmës për Greqinë, duke livruar këstin e parë prej 13 miliardë eurosh, një ditë para se Greqia t'i shlyejë një kredi prej 3.2 miliardë euro Bankës Qendrore Evropiane.
Sipas një deklarate të publikuar nga ESM-ja, bordi i guvernatorëve, i përbërë nga ministrat e financave të 19 vendeve të Eurozonës, miratoi propozimin për një marrëveshje lehtësimi të ndihmës financiare me Greqinë, sipas së cilës ESM-ja do të ofrojë një ndihmë financiare deri në 86 miliardë euro për Greqinë gjatë tre vjetëve.
Bordi gjithashtu miratoi një memorandum mirëkuptimi me Greqinë, duke specifikuar masat politike që qeveria greke ka pranuar të ndërmarrë për të trajtuar sfidat kryesore me të cilat përballet ekonomia greke.
"Autoritetet greke kanë një mundësi për të rikthyer stabilitetin financiar," u shpreh menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit Valdis Dombrovskis, zv.presidenti i Bashkimit Evropian dhe Komisionari Europian për Euron. (Artan Goga)