Fjalë kyçe: 救援---Jiù Yuán---Shpëtim
Natën e së mërkurës ndodhën shpërthime masive në depon e lëndëve të rrezikshme të kompanisë Ruihai në zonën industriale Binhai të qytetit Tianjin. Deri në orën 21-të të të enjtes, aksidenti shkaktoi 50 viktima, duke përfshirë 17 zjarrfikës, 701 të shtruar në spital dhe dhjetra të humbur. Ende nuk është i qartë shkaku i aksidentit, por ekipet zjarrfikëse, ato mjekësore dhe biokimike vazhdojnë punët e shpëtimit.
Pas shpërthimit, Drejtoria e Shërbimit Zjarrfikës pranë Ministrisë së Sigurisë Publike dërgoi grupin e ndërhyrjes ndaj aksidenteve kimike me 130 ushtarë e oficerë si dhe 16 makina zjarrfikëse. Para kësaj, mbi 1 mijë ushtarë e oficerë zjarrfikës dhe 143 makina zjarrfikëse u përfshinë në operacionin e shpëtimit. Të enjten pasdite, grupi kombëtar i emergjencës së aksidenteve bërthamore e biokimike i përbërë nga 217 vetë mbërriti në vendngjarje.
Gazetari i Radios së Jashtme të Kinës mësoi të enjten në Spitalin Taida, që ndodhet vetëm 3 km larg vendit të shpërthimit se në këtë spital kanë mbërritur shumë të plagosur dhe disa prej tyre janë operuar.
Në spital punojnë edhe shumë vullnetarë në ndihmë të mjekimit. Në hyrjen e spitalit shumë taksi punojnë falas për transportin e të plagosurve. Njëra prej tyre është zonja Sun, që punon prej 10 vjetësh si shofere taksie.
"Jemi shoferë taksie. Tani jemi këtu dhjetra shoferë taksi e për të shprehur solidaritetin tonë. Uroj që të plagosurit do të shërohen sa më shpejt!"
Gjatë intervistës në Spitalin Tanggu dhe në Spitalin e 5-të Qendror të Tianjinit, gazetarët e radios sonë vunë re se me përpjekjet e përbashkëta të sektorëve të ndryshëm, punët e shpëtimit vazhdojnë dhe shumica e të prekurve patën mjekim efektiv. Drejtori i Komitetit të Shëndetësisë të Tianjinit Wang Jiancun tha se pas shpërthimit, shumë spitale në zonën industriale Binhai të Tianjinit u vunë në gatishmëri të shkallës së parë në përballimin e dëmeve masive, duke mjekuar të plagosurit me të gjitha forcat.
Tani spitalet e zonës Binhai furnizohen rregullisht dhe ka mjaft shtretër. Edhe furnizimi me gjak është kthyer në gjendjen normale. Wang Jiancun tha në një konferencë shtypi pasditen e të enjtes se qyteti Tianjin ka vënë në dispozicion 10 spitale me mbi 1 mijë punonjës mjekësorë për trajtimin e të plagosurve, ndërsa 200 mjekë psikologjikë po trajtojnë të afërmit e të plagosurve.
Si pasojë e shpërthimit, shtëpitë përreth u dëmtuan, por në zonën e banimit ishte i paktë numri i banorëve. Mësohet se natën e të enjtes, administrata e Tianjinit akomodoi 6 mijë banorë të prekur nga shpërthimi.
Tani në zonën e shpërthimit era fryn në drejtimin e detit. Deri në orën 17-të të të enjtes, treguesit e kontrollit të ajrit në zonën e shpërthimit janë normal.
Pas shpërthimit, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping dha menjëherë urdhër për punët e shpëtimit dhe për hetimin e shkakut të shpërthimit, me synim ruajtjen e stabilitetit. (Wang Lei)