Pekini i bëri thirrje Tokios të dërgojë një mesazh "të qartë dhe të saktë" për përgjegjësinë e Japonisë gjatë kohës së luftës, teksa kryeministri Shinzo Abe pritet të bëjë një deklaratë për 70-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore javën e ardhshme.
Në një raport të publikuar si referencë për deklaratën e ardhshme të Abes, një panel 16-anëtarësh përmend agresionin dhe sundimin kolonial të Japonisë, por nuk shprehet nëse kryeministri duhet të kërkojë falje për mizoritë.
"Kina dhe vende të tjera aziatike, si dhe bashkësia ndërkombëtare, po e ndjekin nga afër çështjen e fjalimit të ardhshëm të liderit japonez," vuri në dukje të premten zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Hua Chunying, duke i kërkuar përsëri Japonisë të përballet me faktin e nisjes së luftës nga militaristët japonezë dhe të reflektojë thellë lidhur me të.
"Japonia duhet të dërgojë një mesazh të qartë dhe të saktë të natyrës së luftës dhe përgjegjësisë së vet gjatë kohës së luftës, për të fituar besimin e fqinjëve të saj aziatikë dhe të bashkësisë ndërkombëtare," u shpreh Hua.
Vetëm duke e bërë këtë Japonia mund të realizojë pajtimin e vërtetë me fqinjët aziatikë dhe të zhvillojë një marrëdhënie të orientuar nga e ardhmja me ta, shtoi ajo.
Abe ka përsëritur se do ta ndjekë Deklaratën e Murayama-s si një të tërë, por nuk do të përsërisë shprehje të tilla si "falje nga zemra" ose "agresion dhe sundim kolonial" në deklaratën e vet, duke thënë se nuk ka asnjë përkufizim universal për "agresionin".
Shumë vende aziatike kanë shprehur shqetësimin e tyre se Abe mund të zbutë tonet e faljes zyrtare të bërë nga ish-kryeministri Tomiichi Murayama në vitin 1995 në deklaratën e vet historike. (Artan Goga)