Kryeministri i Malajzisë konfirmoi se pjesa e krahut të avionit e gjetur në ishullin la Reunion në Oqeanin Indian i përket avionit të zhdukur të Malaysia Airlines, fluturimit MH370.
Najib Razak tha se ekspertët ndërkombëtarë e shqyrtuan mbetjen e gjetur në ishullin francez dhe e "konfirmuan përfundimisht" se është nga avioni i zhdukur.
Ai tha gjithashtu se gjetja e një pjesë të krahut mund të çojë në një përparim të madh për zgjidhjen e pyetjeve në lidhje me zhdukjen e avionit të fluturimit MH370.
Mbetja u zbulua në ishullin Reunion në lindje të Madagaskarit, javën e kaluar.
Kjo është prova e parë fizike e avionit të fluturimit MH370, i cili u zhduk më 8 mars të vitit të kaluar duke fluturuar nga Kuala Lumpuri në Pekin me 239 njerëz në bord, dy të tretat e të cilëve ishin nga Kina. (Leftion Peristeri)