Bursat kineze u rritën për të tretën ditë tregtimi radhas të hënën, pas masave të qeverisë për të stabilizuar tregun.
Treguesi bazë i Bursës së Shangait u rrit me 2.39 %, ndërsa ai i Bursës së Shenzhen-it 4.78 %.
Rritja e bursave kineze nisi të enjten, pas një rënieje të madhe që nga mesi i qershorit.
E shqetësuar për rreziqet ndaj stabilitetit të përgjithshëm financiar, qeveria kineze ndërhyri me një numër masash, duke përfshirë futjen e fondeve.
Të enjten, policia kineze iu bashkua organit rregullator përkatës për të hetuar "shitjen e keqe afatshkurtër" të aksioneve, një praktikë që mendohet se ka qenë një faktor kryesor që ka sjellë kaosin në treg. Banka qendrore kineze përsëriti gjithashtu se do të vazhdojë të mbështesë nevojat e tregut për likuiditet.
Me gjithë rritjen, analistët parashikojnë vazhdimin e paqëndrueshmërisë në tregun kinez të aksioneve. Sipas tyre, duhet kohë për të larguar panikun në treg dhe për të rikthyer besimin. (Artan Goga)